Baballarët në moshë të madhe, gjasa për lindjen e fëmijëve me probleme

24/02/2014 00:00

Ata u shprehën se baballarët në moshë kanë rrezik më të lartë të lindjes
së fëmijëve me çrregullime si autizmi ose skizofrenia. Një grup provash
në rritje po tregojnë se teksa vitet kalojnë për një burrë, cilësia e
spermës së tij bëhet gjithnjë e më e dobët.

Kjo për shkak se mutacionet shkaktojnë prodhim të qelizave burimore jo normale në testikuj, duke sjellë rritjen e sasisë së spermës mutante teksa një burrë rritet në moshë, raporton revista Neë Scientist.

Disa studime të mëparshme e kanë lidhur të pasurit një baba të vjetër me sëmundje si Alzheimeri, depresioni, sëmundjet e zemrës dhe kanceri.

Tani, shkencëtarët paralajmërojnë se një burrë në të dyzetat ka dy herë me shumë gjasa të zhvillojë mutacione gjenetike, krahasuar me një burrë te të njëzetat. Kjo tregon se ora biologjike funksionon edhe për meshkujt.

Shumë meshkuj të njohur janë bërë baballarë në moshë të madhe, përfshirë këtu Stiv Martin që u bë baba në moshë 67 vjeç dhe Des O’Konër në moshë 72 vjeç.

Për dekada më radhë shkencëtarët kanë spekuluar për lidhjen midis baballarëve të moshuar dhe defekteve në lindje. Por vetëm së fundmi, një studim i publikuar në revistën Nature, provoi se padyshim meshkujt kalojnë më tepër mutacione gjenetike te fëmijët e tyre teksa plaken.

Shkencëtarët analizuan ADN-në e 78 prindërve nga Islanda dhe atë të fëmijëve të tyre. Ata gjetën një lidhje direkte midis moshës së baballarëve dhe numrit të mutacioneve të lidhura me autizmin dhe skizofreninë në ADN-në e fëmijëve.

Mosha e nënës nuk përbënte rrezik të madh për fëmijët, në fakt, skuadra e shkencëtarëve zbuloi se 97 për qind e të gjithë mutacioneve në ADN-në e fëmijës vinin prej të atit.

Mutacionet bëjnë që qelizat burimore në testikuj të zhvillohen jo normalisht, duke rezultuar në rritje të spermës mutante teksa meshkujt moshohen.

“Shoqëria ka qenë tradicionalisht shumë e përqendruar te mosha e nënës”, thotë dr. Stefanson, shkencëtari që drejtoi studimin. “Duket se çrregullimet si skizofrenia dhe autizmi janë në fakt ndikim i moshës së babait dhe jo të nënës”, shpjegon ai.

Raporti i dr. Stefanson sugjeron se numri i madh i fëmijëve të diagnostikuar me autizëm mund të shpjegohet, qoftë edhe pjesërisht, me moshën e madhe të baballarëve.

Profesor Andre Uilki, një gjenetist klinik në Universitetin e Oksfordit, zbuloi një lidhje midis etërve të plakur dhe sindromës Apert.

Kjo është një sëmundje e rrallë kockash e cila mund të rezultojë në fëmijë me kokë të zgjatur. “Ka një pyetje të rëndësishme që duhet ta bëjmë, sepse teksa rritet mosha e lindjes së fëmijëve, ka gjasa të rriten edhe efektet që lidhen me të”, shpjegon Uilki.

Shpjegimi

Deri më tani është menduar se kur një mashkull rritet në moshë e vetmja gjë që ndryshon është kujtesa dhe elasticiteti i fytyrës, por në fakt duket se edhe cilësia e spermës së tij pëson të njëjtin fat.

Ndryshe nga femrat të cilat janë të lindura me një numër të caktuar vezësh, meshkujt prodhojnë spermë të re gjatë jetës së tyre.

Çdo 16 ditë qelizat në testikuj pjesëtohen dhe ADN-ja në çdo qelizë kopjohet në krijim e një qelize të re, e cila përdoret për të prodhuar spermë të re.

Trupi është shumë i saktë në prodhimin e një kopjeje të njëjtë, por gabimet nuk janë të pashmangshme. Një sasi e caktuar sperme mund të prodhohet me një gabim në ADN, që njihet si mutacion gjenetik.

Teksa një burrë moshohet, procesi i kopjimit lodhet dhe është më pak efikas dhe sperma e tij përmban më shumë mutacione. Dhe nëse sperma me mutacione përdoret më pas për të formuar një fetus, ka më shumë shanse që fëmija të lindë me probleme. Mund të ndodhë që një mutacion të mos prekë një vend të rëndësishëm, por ndonjëherë mutacioni prek një gjen që mund të çojë në sëmundje të caktuara.

Kështu, nëse mutacioni është në gjenin që kontrollon zhvillimin e trurit, për shembull, ai mund të shkaktojë autizëm ose skizofreni. Dhe nëse mutacioni ndodh në një gjen që rrit rrezikun për një lloj kanceri, do të jetë një rrezik që transmetohet edhe te fëmija me kalimin e viteve.

Këshilla e specialistëve për meshkujt është që të mos e vonojnë lindjen e fëmijëve, por të kenë fëmijë sa më të rinj të jetë e mundur. Mosha 50-vjeçare e më pas mund të jetë shumë vonë dhe shumë e rrezikshme për shëndetin e fëmijës.

Top Channel