Siri, vritet kryexhihadisti

24/02/2014 15:45

Një prej drejtuesve të një grupi kryengritës të lidhur me Al-Kaedën në Siri u vra ditën e Hënë në një sulm me autobombë, raportuan mediat ndërkombëtare.

Sulmi ndodhi në qytetin më të madh të vendit, në Aleppo, njëkohësisht edhe një prej qëndrave të përballjeve midis ushtrisë së rregullt siriane dhe kryengritësve.

Abu Khaled al-Suri mbeti viktimë së bashku me disa të tjerë në sulmin e ndodhur në bazën e Ahrar al-Shamit. Ai ishte drejtues i një prej fraksioneve kryesorë, atë të Frontit Islamik.

Besohet se organizata xhihadiste Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit ëshë përgjegjëse për vrasjen e tij. Suri besohet se ishte dërguar në Siri nga Al-Kaeda, me mision që të negocionte fundin e luftimeve midis grupimeve të ndryshme islamike.

Pas tre vjet luftimesh që i kanë kushtuar jetën të paktën 130 mijë sirianëve, panorama e situatës në vend është bërë shumë e paqartë, me ushtrinë e rregullt siriane në njërin krah, kryengritësit demokratikë dhe fondamentalistët islamikë, që luftojnë të gjithë kundër njëri-tjetrit.

Top Channel