Duka: Vështirë, por ne do të luajmë

24/02/2014 00:00

Ashtu si stafi teknik i kombëtares edhe presidenti i FSHF, Armand Duka është i vetëdijshëm për vështirësitë që na paraqiti shorti i eliminatoreve të Euro 2016, i cili na vuri në një grup me Portugalinë, Danimarkën, Serbinë dhe Armeninë.

Pavarësisht se shanset për kualifikim janë minimale, Duka thekson se skuadra do të tentojë deri në fund të eliminatoreve.

“Objektivi në këtë grup është shumë, shumë i vështirë. Çdo skuadër që luan në eliminatore luan për t’u kualifikuar në turne. Në grupin tonë të gjithë mund të jenë pretendentë, sikurse jemi dhe ne, por është një mision i vështirë. Megjithatë, ne do ta synojmë. Kundërshtarët tanë që mendojmë se mund të kalojmë janë Serbia, Armenia dhe pse jo Danimarka”, deklaron Duka.

Presidenti i FSHF pohoi gjithashtu se edhe delegacioni serb nuk e priti mirë rënien në një grup me Shqipërinë. Sipas tij, FSHF ka si qellim që sfidën përballë Serbisë ta zhvillojë brenda kufijve sportivë.

“Ndeshja me Serbinë është në planin sportiv më shumë se në gjithë planet e tjera. Ne duhet ta menaxhojmë atë si një ndeshje futbolli. Jemi takuar me homologët, edhe ata nuk ishin të lumtur që kishin Shqipërinë përballë, por do punojmë për një organizim sa më të mirë”, nënvizon Duka.

Presidenti Duka deklaroi se FSHF nuk ka ndryshuar asnjë qëndrim përsa i përket objektivave që i janë vënë trajnerit De Biasi në rinovimin e kontratës që bëri vitin e kaluar me FSHF-në.

“Trajneri ka objektivat në kontratën e tij. Nëse do ketë kualifikim do ketë një rinovim. Edhe për atë dhe gjithë skuadrën. Nuk është një gjë që ne duhet ta kërkojmë, ne duhet ta synojmë atë”, thekson Duka.

Shqipëria do t’i nisë këto eliminatore me 3 përfaqësueset më të forta të grupit, me Portugalinë, me Danimarkën dhe me Serbinë, ndeshje kjo që do të luhet më 14 tetor në Beograd.

Top Channel