Përplasja e meteorit gjysmëtonësh

24/02/2014 00:00

Shkencëtaret mund të jenë bërë dëshmitarë të një goditjeje rekord-thyese në sipërfaqen e Hënës.

Astronomët spanjollë kanë arritur të shohin live përplasjen e një meteori gjysmëtonësh në satelitin e vetëm natyror të planetit tonë, çka krijoi sipas tyre një fashë aq të fuqishme drite sa mund të shihej edhe nga Toka.

Episodi i rrallë, i cili zgjat diku tek 8 sekondat, është regjistruar në 11 shtator, por u raportua vetëm tani, në numrin më të fundit të revistës së botuar prej Shoqatës Astronomike Mbretërore.

Për profesorin Jose Madiedi të Universitetit të Huelvas, në jug-perëndim të Spanjës, kjo është përplasja më e qartë dhe e shndritshme e vëzhguar ndonjëherë në Hënë.

Trupi qiellor, sipas përllogaritjeve të astronomit Madiedi dhe kolegëve të tij, kishte një masë prej 400 kilogramësh, diametër ndërmjet 0.60 dhe 1.40 metra e udhëtonte me shpejtësinë 61 mijë kilometra në orë.

Forca e goditjes ka qenë e barazvlefshme me shpërthimin e 15 tonëve tritol, apo tre herë më e fuqishme se përplasja e marsit 2013, e regjistruar nga NASA, kur në sipërfaqen e hënës ra një meteor 40 kilogramësh.

Meteori besohet të ketë shkaktuar një krater me një diametër prej 40 metrash. Sipas ekspertëve, po të ishte drejtuar për në tokë, ai do të ishte djegur në atmosferë, duke u shfaqur në qiellin tonë vetëm si një lëmsh i zjarrtë.

Top Channel