Të burgosurit e spitalit të vetëm të burgut në Greqi shpallën një grevë urie dhe refuzuan marrjen e trajtimit, në shenjë proteste ndaj kushteve të këqija.

Spitali i burgut në Koridhalos, në perëndim të Athinës, është projektuar për të trajtuar deri në 60 pacientë, por ai ka aktualisht mbi 200 pacientë të ardhur nga të gjithë burgjet e Greqisë.

Shumica e të dënuarve janë të sëmurë me AIDS, të cilët qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me pacientë të prekur nga kanceri, tuberkulozi, hepatiti, problemet kardiovaskulare apo urinare.

Sipas raportimit të mediave helene, 178 nga të burgosurit refuzuan marrjen e ushqimit dhe 16 të tjerë kanë ndërprerë marrjen e medikamenteve deri në ndërmarrjen e një mase konkrete për përmirësimin e kushteve.

Komisioneri i të Drejtave të Njeriut në Këshillin e Europës, Nils Mujznjeks shprehu shqetësimin e tij të thellë për degradimin e kushteve të të burgosurve në Greqi, ndërsa i kërkoi Athinës që të marrë masa konkrete për përmirësimin e kësaj situate.

Top Channel