Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov, synon edhe një mandat presidencial. Ai ka njoftuar se kandidaturën për mandatin e ri do ta dorëzojë në Konventën e partisë VMRO-DPMNE, që do të mbahet më 1 Mars, ku do të caktohet kandidati i kësaj partie për president.

Ivanov tha se e ka marrë këtë vendim, pas iniciativës së ngritur nga ana e një grupi intelektualësh, të cilët kërkuan rikandidimin e tij.

“Të nderuar qytetarë, me respekt dhe kënaqësi, duke marrë parasysh të gjitha sfidat dhe perspektivat që na presin, me përkushtim dhe qasje të përgjegjshme, me dëshirën për të arritur suksese të mëtejshme për atdheun tonë, dua të deklaroj se kam marrë vendim për ta pranuar iniciativën për rikanditimin tim për President të Maqedonisë”, tha Gjorge Ivanov, President i Maqedonisë.

Gjorge Ivanov, për herë të parë u zgjodh President në vitin 2009, kur përveç partisë së kryeministrit Nikola Gruevski, në mbështetje të Ivanov doli edhe partia e Ali Ahmetit, BDI, e cila tani shprehet e pakënaqur nga puna e tij si president.

Kjo parti shqiptare, që është pjesë e pushtetit, tani kërkon të garojë në zgjedhjet presidenciale me një kandidat të përbashkët me partnerin maqedonas të koalicionit qeveritar, për të zgjedhur një President konsensual në Maqedoni. Në të kundërtën, BDI ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale.

“BDI nuk do të jetë pjesë e një procesi, ku do të mbivotohet vullneti i shqiptarëve dhe shqiptarët do të jenë vetëm aktorë për t’i dhënë legjitimitet të gënjeshtërt presidentit, kurse vota e tyre nuk është vendimtare”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Ndërkohë, PDSH-ja opozitare e Menduh Thaçit, e cila nuk e ka njohur asnjëherë Gjorge Ivanov si President, ka njoftuar se do të marrë pjesë me kandidat të vetin, në zgjedhjet presidenciale të 13 Prillit.

“Na ka shtyrë politika hipokrite dhe e padenjë e BDI-së, e cila luan thellë me ndjenjat e popullit shqiptar. Ata mendojnë se shqiptarët janë turmë, janë të pa organizuar, ndërsa ne themi se shqiptarët janë shumë të organizuar”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Gjorge Ivanov është kandidati më serioz që, në Konventën e partisë më të madhe maqedonase VMRO-DPMNE, të përkrahet nga shumica e delegatëve dhe të shpallet zyrtarisht kandidat i kësaj partie për zgjedhjet presidenciale.

Top Channel