SHBA-Venezuelë, “hakmarrje” diplomatike

26/02/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar 3 diplomatë venezuelianë, si kundërpërgjigje e përjashtimit të 3 zyrtarëve konsullorë të tyre nga Karakasi.

Rreth 1 javë më parë, Venezuela akuzoi dhe dëboi amerikanët për lidhjet që “kishin” me grupet e dhunës. Presidenti Obama deklaroi se akuzat ishin të pabaza dhe false.

Të paktën 13 viktima janë shkaktuar gjatë protestave të këtyre javëve në Venezuelë, ndërkohë që opozita deklaron plot 15 të vdekur.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se Ignacio Luis Cajal Avalos, Victor Manuel Pisani Azpurua, si dhe Marcos Jose Garcia Figueredo, konsiderohen tashmë “persona non-grata” dhe kanë 48 orë kohë për t’u larguar nga vendi.

Më 16 Shkurt, Venezuela njoftoi për dëbimin e 3 diplomatëve amerikanë, me akuzat se ishin takuar me studentë, të cilët janë përfshirë në marshimet e dhunshme në vendin amerikano-latin. Por, DASH refuzoi menjëherë akuzat, përmes një deklarate për shtyp, pas asaj që kishte shprehur më herët presidenti Barack Obama.

Ai u kishte thënë reporterëve, pas një takimi në Meksikë, se Venezuela ka bërë “akuza false” dhe se qeveria e presidentit Nicolas Maduro duhet të fokusohet te “ankesat legjitime të popullit venezuelian”.

Zyrtarët konsullorë, Breann Marie McCusker, Jeffrey Gordon Elsen dhe Kristopher Lee Clark, u akuzuan për takimin me studentë në universitete private, gjatë muajve të fundit.

Hakmarrja diplomatike e Uashingtonit erdhi në të njëjtën ditë kur qeveria venezueliane emëroi ambasadorin e ri për në SHBA.

Ministri i Jashtëm, Elias Jaua, tha se lëvizja tregon “dëshiron e Karakasit për të ruajtur një raport politik dhe diplomatik me Uashingtonin”, raporton korrespondenti i BBC nga Uashingtoni.

Të martën, Jaua tha se Maduro kishte emëruar Maximilian Arvelaez si të dërguarin e ri të vendit drejt SHBA-ve. Arvelaez ka qenë më herët ambasador në Brazil.

Top Channel