Adidas tërheq bluzat me stereotipe seksuale

26/02/2014 00:00

Marka sportive Adidas ka ndaluar shitjen e bluzave të Kupës së Botës që kishin stereotipe seksuale për të promovuar vendin mikpritës, Brazilin.

Një nga bluzat kishte në pjesën e përparme një vizatim të një gruaje me bikini në një plazh të Rios ku shkruhej “Lookin’ to score” (Në kërkim të golit, ku me gol kuptohej diçka tjetër).

Në një tjetër bluzë shkruhej “I ♥ Brazil”, ku zemra ishte dizenjuar si e pasmja e një gruaje me tanga.

Ishte bordi i turizmit të Brazilit ai që i konsideroi të papërshtatshme këto bluza dhe Adidas vendosi të ndalojë menjëherë shitjen e tyre në vendin amerikano-latin.

“Produktet ishin për shitje ekskluzivisht në SHBA. Adidas gjithmonë e merr parasysh mendimin e konsumatorëve dhe partnerëve të tij e për këtë arsye këto produkte nuk do të shiten më”, lexohet në komunikatën e markës sportive.

Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff, shkroi në Twitter se vendi i saj do të bëjë të pamundurën për të parandaluar turizmin seksual gjatë zhvillimit të Kupës së Botës.

“Brazili është i lumtur të mirëpresë turistët që do të vijnë për Botërorin, por është edhe i gatshëm për të luftuar turizmin seksual”, tha Rousseff.

Top Channel