Partia Demokratike Shqiptare do të garojë në zgjedhjet presidenciale të 13 prillit me Iljaz Halimin, kryetari i Kuvendit Qendror të PDSH-së. Këtë e ka bërë të ditur lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi.

Ai ka thënë se nëse shqiptarët mobilizohen në këto zgjedhe, kandidati i PDSH-së mund të kalojë raundin e parë dhe të hyjë në balotazh me njërin nga kandidatët maqedonas për president.

“Në këto zgjedhje favorit është kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov dhe në rast se kjo strategji e jona realizohet, që në raundin e dytë të hyjë kandidati ynë, unë iu premtoj shqiptarëve se atëherë partneri maqedonas do detyrohet që të bëjë çështjet për të cilat shqiptarët kanë mbi 20 vite që luftojnë”, ka deklaruar Thaçi.

Iljaz Halimi do të jetë i vetmi kandidat shqiptar që do të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale që mbahen më 13 prill në Maqedoni. “Shqiptarët duhet të kenë kandidat të vetin të cilin do ta votojnë në këto zgjedhje dhe jam i bindur se unë dhe partia ime do të japim maksimumin në faktorizimin e shqiptarëve, që do të thotë se edhe shqiptarët do të jenë vendimmarrës në këto raste”, ka thënë Halimi nga ana e tij.

Ndërkohë, partia shqiptare në pushtet, BDI ka paralajmëruar edhe një herë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe se do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, nëse refuzohet kërkesa e kësaj partie për president konsensual.

“Shqiptarët do t’i ftojmë që të mos votojnë për asnjë kandidat, për shkak se asnjëri nga ata nuk do të përfaqësojë vullnetin e tyre, por jo vetëm kaq. Refuzimi i konceptit tonë të konsensusit nga partneri i koalicionit e bën të domosdoshme edhe nevojën për arritjen e një platforme të re politike për bashkëqeverisje ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, që nënkupton edhe nevojën për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, ka thënë zëdhënësi Bujar Osmani.

Këto vendime të shpalosura nga Osmani pritet të konfirmohen nga Kryesia Qendrore e partisë të enjten, ndërsa do të hyjnë në fuqi të shtunën nëse partneri maqedonas i koalicionit qeveritar, partia VMRO-DPMNE, në Konventën e 1 marsit zgjedh kandidat njëpartiak për president.

Top Channel