Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti, thuhet se është strehuar në Greqi, në manastiret e malit Athos, në zonën e Halkidhikisë.

Lajmin e publikon gazeta greke “Kathimerini”, në bazë të reportazhit të të dërguarit të saj në Kiev, i cili u referohet mediave ukrainase.

Sipas tyre, Yanukovych ka mundur të arratiset nga Ukraina dhe të vijë deri në gadishullin e Athosit për t’u fshehur në një prej 20 manastirëve të Malit të Shenjtë, pikërisht në atë që i takon Kishës Ortodokse Ruse, manastiri i Shën Pandeleimonit.

Lajmi ende nuk është konfirmuar dhe ndoshta nuk do të ketë një konfirmim zyrtar, pasi siç dihet, në gadishullin ku ndodhen 20 manastirët ortodoksë nuk lejohet të futen forcat policore dhe të kryhen kontrolle.

Gjithësesi, udhëheqja politike e vendit është vënë në lëvizje, duke kontaktuar herë pas here me zyrtarë të lartë në Bruksel, pasi edhe Greqia në këtë periudhë mban presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian.

Manastiri rus i Shën Pandeleimonit

Top Channel