Arrestimet, Uashingtoni i revoltuar

27/02/2014 15:50

Shtetet e Bashkuara të Amerikës akuzuan qeverinë siriane se po minon shanset për një marrëveshje paqeje duke arrestuar një numër të delegatëve të opozitës, pjesëmarrës në bisedimet e Konferencës së Paqes në Gjenevë, të mbajtur më parë gjatë muajit.

Zëdhënësja e Depertamentit të Shtetit, Jen Psaki, shprehu “revoltimin e thellë të Uashingtonit” në një deklaratë, në të cilën ajo kërkoi lirimin e pakushtëzuar të të gjithë atyre që janë arrestuar në mënyrë të padrejtë.

Midis të arrestuarve ishte edhe Mahmoud Sabra, vëllai i këshilltarit ligjor të grupimit kryesor te opozitës, Frontit Kombëtar Sirian, Mohammed Sabra.

Raundi i dytë i bisedimeve në Gjenevë u ndërpre pa rezultate konkrete në fillim të Shkurtit.

Ndërmjeti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Lakhdar Brahimi fajësoi për këtë qeverinë e Bashar al-Assad, duke thënë se përfaqësuesit e Damaskut nuk ishin të gatshëm të bisedonin mbi kërkesat e kryengritësve.

Konferenca e Paqes në Gjenevë synonte të krijonte një platformë të përbashkët që do të çonte drejt krijimit të një qeverie provizore, e cila do të mund të rikthehente paqen në vendin e përçarë nga lufta civile 3-vjeçare.

Megjithatë, për të ulur në bisedime, qeveria kërkoi eliminimin e “terroristëve”, një term me të cilin Damasku identifikon të gjithë kryengritësit.

Të paktën 140 mijë persona kanë humbur jetën në luftën civile siriane, e cila sipas korrespondetëve, në javët e fundit ka nisur një fazë më të përgjakshme luftimesh, me secilën palë që po përpiqet të fitojë terren përpara bisedimeve të ardhshme që mund të mbahen së shpejti.

Top Channel