Nëse doni të kujtoni një imazh femëror negativ, kujtoni pak njerkat. Ato e hanë gjithmonë. Historikisht. Mjafton të shqiptoni fjalën “njerkë” dhe me siguri në mendje do ju vijë Borëbardha, Hirushja, “Të mjerët” apo një sërë filmash që kanë në fokus fëmijët që jetojnë në shtëpi me gruan e dytë të babait: një grua të padhembshur që i trajton keq.

Në të vërtetë, nëna është një figurë e pazëvendësueshme. Ndaj, është e sigurt, çdokush që duhet të vihet në rolin e saj nuk do ta ketë të lehtë. Jo vetëm sepse eklipsohet nga madhështia e figurës së nënës, por edhe sepse një shoqëri e tërë mendon se ato janë të prirura të sillen keq me fëmijët me të cilët nuk kanë lidhje gjaku apo që mund t’i konsiderojnë edhe pengesë.

Me siguri “një fillim i vështirë” duhet të jetë për të gjitha ato gra që duhet të kujdesen për fëmijët e bashkëshortit.

Cdo ditë e më tepër shtohet numri i fëmijëve që u duhet të bashkëjetojnë me gruan e dytë të babait. Numri i lartë i divorceve ka shtuar numrin e familjeve të përziera. Në Spanjë, për shembull, janë të paktën 800 mijë gra që janë martuar dy herë, prej të cilave 140 mijë jetojnë me thjeshtërit, ndërsa në Francë numërohen rreth 2 milionë fëmijë që jetojnë në një familje të tillë.

Riformimi i familjeve sjell gjithashtu edhe problematikën e përshtatjes më vete. Një problematikë të cilën nuk e ndihmon shumë sfondi kulturor.

Ndoshta, para se të shqiptojmë fjalën “njerkë”, duhet ta pengojmë veten të mendojmë keq pa e njohur më parë. Ndoshta, duhet të mendojmë se me çfarë sfidash përballen ato. Njerëz që duhet të pranohen në një familje të traumatizuar. Njerëz që duhet të durojnë zemërimet e fëmijëve që ndihen të trajtuar keq, sido që t’i trajtosh. Njerëz që duhet të ndajnë zemrën e një partneri me kujtimin e një dashurie të shkuar.

Dila Bushpepa, njerka që nuk e njohin fqinjët

Gati është kthyer në një ritual. Ato vijnë nga shkolla, nga puna apo kudo që ndodhen. Ndalojnë tek puna e saj. E puthin dhe pastaj nisen për në shtëpi.  Kjo ndodh pothuaj të 365 ditët e vitit, krejt natyrshëm, pa asnjë imponim.

Pak kush në lagje apo në punë di që Dila Bushpepa dhe vajzat nuk janë nënë e bija. Edhe ato që e dinë, nuk e kanë kuptuar vetë. Vetë Dila apo dikush tjetër ua ka thënë dhe reagimi ka qenë pothuaj njësoj nga të gjitha.

“Ne nuk e kemi ditur fare. Bravo i qoftë, shkon shumë mirë me gocat dhe askush nuk e kupton që janë të burrit”, thonë fqinjet.

Tashmë po bëjnë 16 vjet bashkë. Më të voglën, Emiljanën, Dila e ka gjetur 3 vjeçe. Më të madhen, Eljonën, 11. Ata që i njohin nga afër tregojnë se ato janë një familje e bukur që nuk reshtin së qeshuri, veçanërisht kur janë të gjitha bashkë.  

Një familje që nuk ka lidhje me paragjykimet. E ku ka të tilla në fakt, kur ka dashuri!

Top Channel