Ambasadori amerikan në Shkup, Paul D. Wohlers, ka thënë se zgjedhjet presidenciale janë një test i rëndësishëm për Maqedoninë. Ai ka porositur autoritetet maqedonase, që të krijojnë kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike, që qytetarët të mund të votojnë në mënyrë të qetë dhe pa presione.

“Është një moment interesant për Maqedoninë: po afrohen zgjedhjet. E dimë me siguri për ato presidenciale që do të mbahen në Prill, por nga ajo që dëgjoj dhe lexoj duket se ka gjasa të ketë edhe zgjedhje parlamentare. Është me rëndësi të dini, se këto zgjedhje do të jenë një test për ju, për Maqedoninë, dhe për të gjithë ju si qytetarë e votues të Maqedonisë. Nevojiten zgjedhje të lira dhe transparente. Duhet të jenë votime të qeta dhe pa presione partiake për familjarët, votuesit, si dhe të jenë të fshehta”, tha Paul Wohlers, Ambasador i SHBA-ve në Maqedoni.

Ndërkohë, të enjtën është bërë e ditur se profesor Stevo Pendarovski është kandidati më serioz, me të cilin do të garojë në zgjedhjet presidenciale partia më e madhe maqedonase në opozitë, LSDM. Kandidatura e Pendarovskit pritet të verifikohet formalisht në Kongresin Zgjedhor të LSDM-së, për zgjedhjen e kandidatit presidencial, që është caktuar për më 4 Mars.

“Në kuadër të procedurës, që ndiqet brenda organeve të LSDM-së, organizatat komunale deri te Këshilli Ekzekutiv i partisë propozojnë kandidatë të mundshëm për President të Maqedonisë dhe, në mesin e tyre ndodhet edhe emri i Stevo Pendarovskit”, tha Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.

Pendarovski, aktualisht drejton Këshillin partiak për Sigurinë dhe Integrimin, pranë Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, ndërsa në të kaluarën ka qenë këshilltar për Sigurinë Kombëtare i dy ish-presidentëve, Branko Crvenkovski dhe Boris Trajkovski.

Top Channel