Mosmirënjohja e Des Gaulles ndaj britanikëve

28/02/2014 09:55

Dosjet sekrete të publikuara në mediat britanike tregojnë për një nivel të lartë mosmirënjohje dhe antipatie të gjeneralit Charles des Gaulles ndaj britanikëve, gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Gjenerali Des Gaulles drejtoi një qeveri prozivore nga Londra pasi Franca u pushtua nga Gjermania Naziste dhe bashkëpunoi ngushtësisht me aleatët, ndërsa ai u shndërrua në president pas lufte.

Megjithatë, një incident i ndodhur në vitin 1940, kur britanikët arrestuan një prej ndihmësve më të afërt të Des Gaulles për spiunazh ishte një moment në të cilin gjenerali demaskoi të gjithë mllefin e tij.

Ndonëse akuzat rezultuan të ishin të pavërteta dhe britanikët liruan gjeneralin Emile Muselier, madje shoqëruar edhe me faljet e kryeministrit Winston Churchill, sipas dokumentave të Shërbimit Sekret Britanik (MI6), që prej atëherë Des Gaulles nuk besoi më kurrë tek partnerët e tij britanikë.

Në vitin 1945, në krye të qeverisë së Francës së pasluftës, gjenerali thirri ambasadorin britanik në Paris dhe e shtangu duke i thënë: “Ne nuk jemi në pozitë që të shfaqim armiqësi ndaj jush, por ju keni ofenduar Francën dhe keni tradhëtuar perëndimin. Kjo nuk mund të harrohet”.


Aleate dhe “armiq”, kryeministri i Britanise, Winston Churchill (majtas) dhe gjenerali e me pas Presidenti i Frances, Charles des Gaulles

Sipas raporteve, gjenerali nuk fali kurrë britanikët edhe për faktin se shumë operacione inteligjence të zhvilluara në Francë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore mbaheshin të fshehta prej tij dhe siç duket, Des Gaulles ndërroi jetë ende me këtë antipati ndaj britanikëve.

Franca e Des Gaulles, vite më vonë u shndërrua në themeluese të Bashkimit Europian së bashku me Gjermaninë, Italinë, Belgjikën, Holandën dhe Luksemburgun dhe për disa vite me radhë, Parisi i vendosi veton pjesëmarrjes së Britanisë në union, çka mbase ilustron dhe një qëndrim të qartë të Francës me rezerva ndaj Londrës për shumë vite me radhë pas luftës.

Top Channel