Grupi parlamentar i Bashkimit Demokratik për Integrim do të dorëzojë të hënën nismën për shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Këtë vendim e ka ndërmarrë Kryesia Qendrore e partisë shqiptare në pushtet, pasi partneri maqedonas në qeveri refuzoi nismën e partisë së Ali Ahmetit për zgjedhjen e një presidenti konsensual në Maqedoni.

“Grupi parlamentar i BDI-së duhet të propozojë shpërbërjen e kësaj përbërjeje parlamentare, si mënyrë për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për t’i dhënë një mundësi rifreskimit të skenës politike dhe natyrisht krijimit të mundësive të reja për sfidat politike që presin vendin, qoftë në planin e brendshëm qoftë në atë ndërkombëtar në periudhën që vjen”, deklaroi deputetja e BDI, Ermira Mehmeti.

Nisma e BDI-së, sipas të gjitha gjasave do të përkrahet edhe nga partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, me çka do të sigurohen votat e nevojshme për shpërndarjen e Parlamentit.

“VMRO-DPMNE është përgatitur vetëm për zgjedhjet presidenciale, sepse per ne vetem ato ishin prioritet. Por, meqë tani kemi një situatë të re, dua të them se ne jemi të gatshëm dhe kemi kapacitet t’i përgjigjemi çdo sfide zgjedhore, pavarësisht nëse bëhet fjalë për zgjedhje presidenciale, parlamentare apo lokale”, tha deputeti Antonio Milloshoski.

Mësohet se Parlamenti do të shpërndahet gjatë javë së ardhshme kur pritet të shpallen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që planifikohet të mbahen më 27 prill, bashkë me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Top Channel