Ardijana, e eliminuara e parë e BB7

01/03/2014 00:00

Ardijana, vajza nga Kosova, ka përfunduar aventurën e saj në Big Brother 7 pas vetëm 1 jave qëndrimi në shtëpinë më të vëzhguar nga shqiptarët.

Pas nominimeve surprizë, të vendosura nga stafi i Big Brother, duke nxjerrë për televotim 2 nga tri vajzat që kishin hyrë të vetme dhe Esterinën, partneri i së cilës e ndërroi gjatë mundësisë që iu dha gjatë emisionit, ka qenë pikërisht emri i Ardijanës i shkruar në zarfin e hapur nga Arbana.

Reagimi i parë ka ardhur menjëherë nga opinionisti i këtij edicionit të BB7, Armand Peza, i cili ka theksuar se nuk e priste këtë eliminim kaq të shpejtë të Ardijanës, teksa kishte parashikuar se do të eliminohej pikërisht Esterina. Gjithsesi, publiku – sipas Pezës, – është i paparashikueshëm dhe vetëm ai mund t’i dijë arsyet përse u zgjodh pikërisht vajza kosovare për të dalë nga shtëpia.
 
Megjithatë, me të mbërritur në studio, në bashkëbisedimin e shkurtër me prezantuesen e emisionit, Arbana Osmanin, Ardijana ka thënë se “ëndrrën e saj e kishte realizuar tashmë”, pavarësisht se nuk mundi t’i tregojë dot publikut karakterin e saj të fortë, në kaq pak kohë sa i lanë në dispozicion. Sipas saj, është shumë e vështirë të bashkëjetosh e mbyllur në një shtëpi me aq shumë banorë dhe e vëzhguar nga aq shumë kamera.

Edhe ishte vërtet një ëndërr e saj, pjesëmarrja në Big Brother, Ardijana theksoi se kishte shpresuar gjithashtu të fitonte çmimin e madh për të blerë një shtëpi për të ëmën dhe motrat e saj, pa mundur t’ia dilte.

Ndërkohë, sa i përket nominimeve, rregullat e këtij sezoni të Big Brother kanë përcaktuar që banorët të shkonin në çift në dhomën e rrëfimit, por duke dhënë vetëm 1 emër të përbashkët për nominim, si dhe arsyen përkatëse se përse kanë bërë këtë zgjedhje.

Nga studio, Arbana u komunikoi banorëve në shtëpi se çifti Nevila-Valeri janë do të përjashtoheshin nga nominimi këtë javë, për shkak se kishin fituar provën e kërcimit, ashtu sikurse dhe për Julianën dhe Esterinën, të cilat i shpëtuan eliminimit këtë javë.

Nevila dhe Valeri nominuan Meridianin, Fatjoni dhe Daniela nominuan Mikelën, Eraldi dhe Esida nominojnë Fatjonin, Matilda dhe Enkeledi çojnë për votim Mikelën. Meridiani dhe Mikela zgjedhin Arditin, Jona dhe Rigelsi përzgjedhi Esidën, ndërsa në fund Violeta dhe Arditi sërish Esidën.

Pavarësisht se nuk mund të nominoheshin nga banorët e BB7 për këtë javë, Esterina dhe Juliana kishin të drejtë të nominonin personat që dëshironin, respektivisht Eraldin dhe Jonën. Mbeten kështu jashtë votimit përgjatë kësaj jave vetëm Enkelejdi dhe Matilda, ndërsa të gjithë të tjerët rrezikojnë.

Top Channel