Del Ponte: Siria, më keq se ish-Jugosllavia

01/03/2014 00:00

Për nga mënyra e konfliktit dhe tipologjia e viktimave, krimet e kryera në Siri janë shumë më të rënda se ato në ish-Jugosllavi.

Kështu ka deklaruar osh-kryeprokurorja e gjykatës së Hagës, Carla Del Ponte, aktualisht anëtare e grupit hetimor të OKB-së për Sirinë.

Del Ponte dhe anëtarët e tjerë të komisionit hetimor janë të angazhuar në ditët e fundit në bisedime me dyer të mbyllura, në jug të Turqisë, me refugjatë sirianë, disidentë, anëtarë të qeverisë së përkohshme, si dhe të opozitës në mërgim.

Mandati i komisionit, i drejtuar nga braziliani Paulo Sergio Pinheiro, skadon në mars dhe më datë 5 të këtij muaji do të paraqitet në Gjenevë raporti përfundimtar i hetimit.

“Në Siri nuk ekzistojnë të mirë apo të këqinj. Të gjitha palët kryejnë krime”, ka thënë Del Ponte për agjencinë italiane të lajmeve “ANSA”.

Pas tre vjet luftimesh që i kanë kushtuar jetën të paktën 130 mijë sirianëve, panorama e situatës në vend është bërë shumë e paqartë, me ushtrinë e rregullt siriane në njërin krah, kryengritësit demokratikë dhe fondamentalistët islamikë, që luftojnë të gjithë kundër njëri-tjetrit.

 

Top Channel