Në një kohë kur në Shqipëri janë intensifikuar veprat kriminale, ku është
përdorur ekzekutimi personave nëpërmjet vendosjes së tritolin në
makina, Shërbimi Informativ Shtetëror duket se ka më shumë në fokus
hetimin e policisë, se sa mbledhjen e informacionit për personat apo
ngjarjet kriminale.

Ekskluzivisht Top Channel ka mundur të sigurojë një dokument të SHISH-it, të cilin e publikon për interes të publikut, i hartuar prej Departamentit të kundrazbulimit dhe mban firmën e drejtuesit R.T.

Dokumenti është përpiluar si kërkesë operative urgjente  më datë 02.12.2013 vetëm tre muaj nga ardhja në detyrë e Qeverisë dhe ministrave të rinj.

Kërkesa operative i drejtohet drejtorive të Shërbimit Informativ në të gjitha prefekturat përfshi degët autonome, nga njëra prej të cilave është bërë e mundur edhe gjetja e dokumentit.

Përmes saj, kërkohet informacion mbi persona të implikuar në veprimtari antiligjore të emëruar në Policinë e Shtetit. Shkresa e Drejtorisë së Kundrazbulimit u kërkon degëve në shërbimit në të gjithë Shqipërinë të “identifikojnë drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit në qarqe më konkretisht, drejtori i Qarkut, shefi i rendit, shefi i krimeve, shefat e komisariateve, drejtori qarkullimit rrugor, ata të emigracionit dhe kufirit dhe specifikisht të identifikohen personat dhe pozicionet e tyre drejtuese të emëruar pranë policisë së qarqeve, kohët e fundit me të dhëna që i implikojnë në veprimtari antiligjore”.

Sa më sipër, thuhet në shkresë, të indentifikohen shtetasit,drejtues policie për të cilët mund të kemi informacione se janë implikuar në veprimtari antiligjore që ndiqen nga drejtoria “KKON” si trafik lëndësh narkotike, trafik klandestinësh, trafik veprash arti, trafik prostitucioni, pastrim parash, trafik të miturish, falsifikim dokumentash.

Kjo kërkesë operative kërkon gjithashtu të saktësohet roli i të implikuarve në trafik, numrat e telefonit në përdorim, lidhjet bashkëpunuese me interes operativ nëse zotërojnë pasuri që rrjedh nga veprimtari kriminale dhe gjithçka tjetër të vlerësuar nga ju me interes oprativo-informativ.

Propozues të kësaj kërkese, e cila haptas tregon vënien nën hetim të punjonjësve të policisë së shtetit, nga Shërbimi Informativ Shtetëror janë një inspektore kërkimi me inicialet A.A si dhe zëvendësdrejtori dhe kryetari degës së kërkimit SH. SH.

Kjo shkrese tregon se SHISH përgjatë kësaj kohe ka mundur të mbledhë më shumë informacion për secilin nga oficerët e Policisë së Shtetit, ndërkohë që ministri i brendshëm Tahiri, nuk e ka fshehur as publikisht pakënaqësinë se SHISH, nuk ka dhënë asnjë informacion për asnjë ngjarje të rëndë apo për grupe e persona të inkriminuar që të ndihmojnë jo vetëm në parandalimin por edhe zbulimin dhe zbardhjen e veprave kriminale.

Një tjetër pikëpyetje që ngrihet pas kësaj shkrese është edhe ajo se cfarë informacionesh janë mbledhur, se kujt i janë referuar dosjet me informacione për oficerët e Policisë së Shtetit.

Top Channel