‘2029, viti kur robotët do jenë si ne’

03/03/2014 00:00

E ardhmja ka një datë të saktë; të paktën sa i përket zhvillimit të robotëve. 2029 është viti kur makinat dhe njerëzit do të ‘shkrihen’, kur edhe robotët do të jenë në gjendje të lexojnë dhe riprodhojnë emicionet njerëzore, në mos t’u paraprijnë atyre.

Në këtë vit inteligjenca artificiale do të tejkalojë atë natyrore, do të jetë në gjendje të përfitojë përvojë, të bëjë shaka, të tregojë histori, të buzëqeshë. Me pak fjalë gjithë ndjenjat  dhe emocionet që karakterizojnë një qënie njerëzore.

Kështu të paktën deklaron ray Kurzweil dhe ’17 mendjet’ teknologjike më në zë në qarkullim, përfshirë këtu edhe Larry page të Google. 66-vjeçari Kurzweil, kryeinxhinier në Google dhe i ngarkuar nga Akademia e Inxhinierisë së Shteteve të Bashkuara thotë:

“Aktualisht përdorim teknologjinë për të zgjeruar horizontin dhe kapacitetin tonë fizik dhe mendor dhe unë jam i bindur që brenda 2029, me këto ritme zhvillimi, makineritë do të arrijnë nivelin e inteligjencës njerëzore edhe në fushën ekskluzive të njeriut; emocionet”.

Projektet janë të shumta, të shumta janë edhe ato të jetësuara. E nisim me makinerinë e parë inteligjente. Quhet LS3 dhe është një robot me katër këmbë i ndërtuar për të ecur në çdo lloj terreni.

PetMan është roboti i Boston Dynamics në gjendje që jo vetëm të ‘mbijetojë’, por edhe të adoptohet në mjedise me agjentë kimikë pa humbur asnjë prej aftësive të tij.

Atlas është roboti humanoid i prezantuar së fundmi me objektivin për angazhimin e tij në operacione shpëtimi.

Roboy, u prezantua në mars të vitit të kaluar në Zyrih. Është në gjendje të kryejë të gjitha lëvizjet bazë njerëzore.

iCub. I gjatë 1 metër me peshë 22 kilogram.  Një vepër e Institutit Italian të Teknologjisë dhe i ndërtuar për thellimin e studimeve në fushën lidhëse njeri-makinë.


Topio. I zhvilluar nga kompania vietnameze Tosy. Është konceptuar me një ‘autonomi të zgjeruar’ aq sa është në gjendje që të luajë ping-pong me një qënie njerëzore.

HRP-4C, pagëzuar me emrin Miim. Është një kryevepër japoneze. E gjatë 158 centimetër dhe peshon 43 kilogram. Ndërtuar në bazë të shëmbëlltyrës njerëzore dhe mund të kryejë lëvizje thuajse reale. Softueri i zërit të Miim përfshin aftësinë e saj për të dalluar tingujt, t’i përpunojë ato, madje në gjendje edhe të kthejë përgjigjje apo të këndojë.

Top Channel