Largimi i kosovarëve nga Kombëtarja

03/03/2014 00:00

Mes atmosferës së miqësores me Maltën, Giani De Biasi shpërthen me kritika deri kërcënuese për lojtarët që nuk pranojnë të grumbullohen me Kombëtaren.

Largimet e Ujkanit dhe Sadikut, të cilët të mërkurën do të luajnë për kombëtaren e Kosovës detyrojnë trajnerin të mbledhë skuadrën për të patur një ide më të qartë cfarë do të ndodhë me lojtarët e tjerë në prag të eliminatoreve të Europianit.

“Do të flas me të gjithë lojtarët nga Kosova që kemi në skuadër. Do t’i pyes çfarë mendojnë dhe çfarë do të bëjnë në të ardhmen. Unë dua të kem një ide të qartë sepse ata që do të nisen me ne në rrugën për në Euro 2016 nuk duhet të tërhiqen më pas. Ujkani nuk e di çfarë arsyesh ka patur që është larguar, edhe sadiku, por nuk e di nëse mund të kthehen përsëri në kombëtaren kuqezi”, thotë De Biasi.

Trajneri i kombëtares ka përjashtuar edhe mundësinë që Januzaj apo Mustafi të luajnë për Shqipërinë.

“Januzaj tashmë, sic e dinë të gjithë e ka bërë zgjedhjen e vet, do të luajë për Anglinë, ndërsa Mustafin e pritëm gjatë këtij viti të fundit, por do të shkojë të luajë për Gjermaninë”, shton ai.

Përpara ndeshjes me Maltën është prezantuar dhe Altin Lala, tashmë në rolin e trajnerit të dytë.

“Do të jetë një përvojë e re për mua. Më bëhet qejfi dhe për mua është një krenari që trajneri më bëri këtë ofertë dhe më ofroi detyrën e zv.trajnerit në Kombëtare dhe unë jam i lumtur për këtë. Është një përvojë krejt ndryshe si lojtar. Do mundohem të mësoj shumë gjëra nga De Biasi”, deklaroi Lala.

Nga lojtarët që ka grumbulluar De Biasi nuk do të mund të vijnë Taulant Xhaka dhe Armando Vajushi të cilët janë të dëmtuar, ndërkohë që është kthyer në kombëtare Renato Arapi. Ndëshja miqësore me Maltën do të luhet të mërkurën në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës në orën 18:00.

Top Channel