“Bojkoti pengon integrimin”

04/03/2014 00:00

Qeveria e Mbretërisë së Holandës, nërpërmjet ambasadorit në Tiranë,
Martin de la Beij, i dërgoi një mesazh të qartë opozitës shqiptare se
opsioni i bojkotit të Parlamentit nuk e ndihmon aspiratën e shqiptarëve
për t’iu afruar familjes europiane.

“Një bojkot i plotë apo i pjesshëm i Parlamentit, përdorimi i gjuhës së ashpër, përfshi polarizimin ektrem, nuk ndihmojnë aspak dhe se nuk e sjellin Shqipërinë afër BE-së. Mirëfunksionimi i Parlamentit, institucioneve publike, sistemit të drejtësisë e ka ndihmuar Holandën për t’u forcuar drejt BE-së. Gjithashtu do ta ndihmonte Shqipërinë në rritjen ekonomike dhe sociale”, tha ambasadori.

Duke folur në Forumin e Politikës së Jashtme 2014 organizuar prej Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare ambasadori Martin de la Beij e quajti pavend paralelizmin mes protestave në Ukrainë dhe atyre në Shqipëri, organizuar prej opozitës.

“Të tilla komente për mua janë jashtë çdo linje. Kjo nuk mund të merret si krahasim. Jemi absolutisht në dy situata të ndryshme për t’i krahasuar me njëra-tjetrën. Le të vijojmë të punojmë së bashku ngushtësisht mes Shqipërisë dhe BE-së siç kemi bërë vitet e fundit”, thotë ambasadori.

Kjo ishte këshilla ambasadorit për Qeverinë dhe Opozitën në lidhje me debatet e nxehta lidhur me emërimet në administratën publike: “Së bashku, Qeveria dhe opozita duhet të punojnë në bazë të ligjit kur vjen puna për të marrë apo hequr personelin e administratës kjo do të ndihmonte në forcimin e institucioneve dhe mbi të gjitha funksionimin në bazë të meritës”.

Në fund të fjalës ambasadori Martin de la Beij shprehu atë çfarë mendon Qeveria e Holandës për statusin e Shqipërisë.

“Pozicioni i Qeverisë së Holandës është ky: Shqipëria mundet potencialisht ta marrë statusin e vendit kandidat në qershor 2014, por duhet të ndodhin shumë gjëra përpara çeljes së negociatave në BE”.

Top Channel ka mësuar se këto deklarime të ambasadorit të Holandës erdhën pak orë para një dreke pune mes kryediplomatit holandez dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha.

Top Channel