Virusi i stërmadh 30 mijë vjeçar

04/03/2014 00:00

Një grup shkencëtarësh francezë paralajmërojnë se ngrohja globale dhe shkrirja e akujve mund të hapin atë që ata e quajnë “Kutia e Pandorës”.

Bëhet fjalë për “çlirimin” e viruseve prehistorikë të panjohur më parë nga njeriu që mund të përbëjnë një kërcënim të vërtetë.

Një i tillë është zbulimi i një virusi me përmasa të mëdha i strehuar në akujt e Siberisë. Udhëheqësit e kërkimit, Chantal Abergel dhe Jean-Michel Claverie thonë se virusi ka rënë në gjumë letargjik rreth 30 mijë vite më parë.

Në raportin e tyre, publikuar në revistën shkencore PNAS thuhet se mega virusi i pagëzuar me emrin “Pythovirus” infekton amebat, megjithatë nuk përjashtohet që nën mburojën e tij (permafrost) që e ka mbajtur të sigurtë për mijëra vite, mund të fshihen mikroorganizma patogjenë që mund të çlirohen me ngrohjen globale.

Duket më tepër si skenar i një filmi hollivudian dhe për shumë ndoshta i pabesueshëm, por për grupin e shkencëtarëve francezë, njerëzimi duhet të përgatitet. 

Top Channel