Maja Acorangua në Argjentinë është shkelur së fundmi nga një grup alpinistësh shqiptarë.

Pesë anëtarët e shoqatës “Bjeshkatarë dhe Alpinistë Tirana” prej kohësh janë përfshirë në lëvizjen botërore “Shtatë Majat” që nënkupton ngjitjen e majës më të lartë të secilit prej shtatë kontinentet e rruzullit.

Destinacioni i radhës ishte pikërisht ngjitja e majës Aconcagua (6.962 metra), pika më e lartë e kontinentit të Amerikës së Jugut e njohur si një nga lartësitë më të vështira për t’u ngjitur.

Ekipi u nis për në Argjentinë më datë 28 Janar dhe kishte në përbërje: Erlin Rudhon, Ervin Dervishin, Gert Pishtarin, Fation Plakun dhe Gjergj Bojaxhiun. Me të mbërritur në Argjentinë, skuadra fluturoi për në qytetin më të afërt me malin, Mendoza. Këtu, anëtarët e ekipit u kompletuan me pajime dhe veshje të nevojshme për realizimin e synimit.

Njëherësh u sigurua leja për të hyrë në Aconcagua Provincial Park, ku ngrihet maja e malit. Në 31 janar ata lanë pas qendrat e banuara për të nisur ngjitjen graduale. Kampi bazë i “Plaza de Mulos” 4300 metra, ishte kuota e radhës, ku jeta organizohej me fjetje në tenda ndërsa nisnin dhe vështirësitë e para. Pas disa ditëve ngjitjeje, flamuri shqiptar u valëvit në majën Aconrangua në datën 11 shkurt të orës 17:00.
 
Grupi i synuesve për ngjitjen e majës më të lartë kishte shumë alpinistë nga Europa, por veçanërisht alpinistë nga Ballkani si nga Maqedonia, Serbia apo Rumania.

Edhe pse e lodhshme, ngjitja u cilësua si shumë e suksesshme dhe pa asnjë problem. Kjo ishte maja e radhës që grupi i alpinistëve ngjiti. Më parë ata kanë ngjitur majën e Kilimanxharos, atë të Elbruzit, Everestit dhe Benalit.

Tashmë, grupit të parë të alpinistëve shqiptarë që kanë ndërmarrë një nismë të tillë u ka mbetur ngjitja në malin Uilson, në Kaliforni dhe Karstenc Pyramid, në Guinenë e Re, e lartë 4 mijë e 884 metra.
“Nuk është thjesht maja më e lartë, por edhe zona ku klima i afrohet më shumë asaj të Hënës. Ka një klimë të thatë dhe shumë pak reshje. Nuk kishte as myshk e jo më bar”, shpjegon Gjergj Bojaxhi.

Top Channel