Ish-kryeministri i burgosur i Kroacisë, Ivo Sanadar kërkoi në gjykatë lirimin e tij, duke pretenduar se avokatët e tij e kanë provuar tashmë që ai është i pafajshëm.

Sanaderi u dënua me dhjetë vjet heqje lirie në Shtator 2012 për korrupsion, pasi gjykata vlerësoi se ai kishte përvetësuar 3,6 milionë euro nga fondet e shtetit.

“Në një çështje intriguese, në të cilën jam vendosur në qendër të vëmendjes me akuza monstruoze, kam provuar përtej çdo dyshimi që jam i pafajshëm. Kjo ndaj meje është një “gjueti shtrigash”, një dënim pa asnjë akuzë. Nuk ka asnjë provë ndaj meje, asnjë dëshmitar, asnjë firmë apo asnjë shumë e pajustifikuar parash e gjetur në llogaritë e mia”, pretendoi Sanader.

Sipas Sanaderit, ai është viktimë e një persekutimi politik nga ish-kryeministrja Jandranka Kosor.

Në rigjykimin e tij, avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit kërkojnë që të rrëzojnë dëshminë kryesore të akuzës, atë të ish-punonjësit të një banke të përfshirë në skandal, Mladen Barisiç.

Sipas Barisiç, ai i dorëzoi personalisht Sanaderit 2 milionë euro, por sipas avokatëve mbrojtës, dëshmia e tij është kontradiktore dhe nuk ka prova të mjaftueshme për të provuar fajësinë e tij.

Top Channel