Iniciativa e Bashkimit Demokratik për Integrim për shpërndarjen e Parlamentit ka marrë mbështetjen unanime. Me 117 vota pro dhe asnjë kundër, deputetët vendosën t’i japin fund para kohe përbërjes parlamentare që u zgjodh në vitin 2011 dhe kishte mandat edhe një vit.

Partia shqiptare në pushtet, BDI kërkoi të shpërndahej Parlamenti dhe të organizohen zgjedhje të parakohshme parlametare, pasi partneri maqedonas i koalicioni qeveritar, partia VMRO-DPMNE refuzoi idenë për të garuar në zgjedhje presidenciale me një kandidat konsensual.

“Në periudhën që po lëmë pas, BDI promovoi qëndrimin se vendit i nevojitet një president konsensual, që do të jetë i pranueshëm dhe i legjitimuar nga shumica e qytetarëve të Maqedonisë. Sot, me krenari konstatojmë se të gjitha argumentet kundër idesë ishin të paqëndrueshme dhe të frymëzuara vetëm nga tendenca për të kundërshtuar një ide politike e cila përfundimisht do të vuloste identitetin shtetformues të shqiptarëve në Maqedoni”, deklaroi Nexhat Jakupi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.

Deputetët e partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, thanë se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme pasi me partnerin shqiptar të koalicionit kanë qëndrime të kundërta për një çështje shumë të rëndësishme, siç është ajo e presidentit të vendit. Për VMRO-DPMNE, ideja e BDI-së për president konsensual është e papranueshme.

“Ne i respektojmë qëndrimet e të gjitha partive, por nuk mbështesim politika që janë në dëm të interesave shtetërore të Maqedonisë. Pozicionet dhe qëndrimet që sot i prezanton partneri ynë i koalicionit, BDI, lidhur me zgjedhjet e rregullta presidenciale, për ne janë të papranueshme. Kërkesa e BDI-së për kandidat konsensual në Maqedoni nuk është e sinqertë dhe dashamirëse”, deklaroi Silvana Boneva, koordinatore e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër, partitë opozitare thonë se iniciativa për zgjedhje të parakohshme parlamentare është skenar i partisë së kryeministrit Gruevski, kurse realizohet përmes BDI-së së Ali Ahmetit dhe ka për qëllim  të nxisë dalje të mbi 40% të qytetarëve në raundin e dytë të presidencialeve, si census i nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit.

“Ne do të votojmë për shpërbërjen e kësaj përbërjeje të parlamentit, pasi kështu do shpërbejmë ketë shumicë parlamentare dhe ketë qeveri anti-shqiptare. I garantojmë shqiptarët se do të bëhet më mirë, sepse garant për këtë është Marrëveshja Politike që ofron PDSH-ja”, tha Bekim Fazlliu, deputet i PDSH-së.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pritet të shpallen zyrtarisht nga kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski dhe të mbahen bashkë me raundin e dytë të zgjedhjeve të rregullta presidenciale më 27 prill.

Top Channel