Shqipëria fiton 2-0 ndaj Maltës

05/03/2014 00:00

Kombëtarja shqiptare e nisi me këmbë të mbarë vitin 2014. Përfaqësuesja e drejtuar nga Gianni De Biasi mundi 2-0, në “Niko Dovana”, kombëtaren modeste të Maltës, por ajo që të gëzon, më shumë se rezultati, ishte loja e mirë e futbollistëve tanë, sidomos ata të repartit të mesfushës.

“Kemi bërë një ndeshje të mirë, sidomos në pjesën e parë. Dua të them se kemi shpërdoruar shumë raste, pasi mund të kishim shënuar më shumë. Skuadra jonë u vendos shumë mirë në fushë përballë një kundërshtari, i cili në kualifikueset e kaluara i hapi probleme shumë ekipeve. Kjo ishte një sfidë, që na lejonte të bënim disa teste në mesfushë dhe në sulm. Them që ata kanë luajtur shumë mirë”, theksoi pas takimit, trajneri Gianni De Biasi.

Ndeshja nisi me një çoroditje të mbrojtjes sonë por, për fat të mirë, sulmuesi i Maltës, Mifsud, nuk arriti të shënojë në portën e Berishës. Me kalimin e minutave, kombëtarja jonë fitoi siguri dhe avancoi në gjysmëfushën e Maltës.

Rastet ndiqnin njëra-tjetrën, por goli erdhi vetëm në minutën e 26, kur Migjen Basha, i harruar nga mbrojtja malteze, kaloi kuqezinjtë në avantazh. Tentativat e Kapllanit, Mehës apo dhe Ramës, për të dyfishuar rezultatin nuk dhanë asnjë rezultat, gjatë pjesës së parë.

Me rifillimin e lojës, Alban Meha rikthen festën te tifozët kuqezinj, me një supergol nga një largësi prej më shumë se 30 metrash.

Shqipëria e De Biasi-t mund të kishte shënuar edhe 2 gola të tjerë, por maltezët kanë qenë me fat, pasi shtylla nuk lejoi që gjuajtjet e Bashës dhe Roshit të përfundonin në rrjetë.

Mbyllet 2-0 miqësorja në “Niko Dovana”, e cila është dhe testi i parë i kombëtares së De Biasi-t drejt kualifikueseve të Euro 2016, që startojnë në Shtator të këtij viti.

Shqipëria ndodhet në grupin I, i cili sipas trajnerit De Biasi është një grup i vështirë, pasi kundërshtarë kemi Portugalinë, Danimarkën, Serbinë dhe Armeninë, pa llogaritur edhe Francën, me të cilën do të zhvillojmë 2 ndeshje miqësore, pa vlerë pikësh.

Top Channel