Shpresat fitojnë në Austri

05/03/2014 00:00

Ndërsa në Durrës kombëtarja e madhe fitonte 2-0 ndaj Maltës, surpriza e vërtetë mbërrinte nga Austria, ku të rinjtë e U21 mbyllën me fitore fushatën kualifikuese për në Euro U21, duke mposhtur bashkëmoshatarët austriakë.

Austria, edhe pse e nisi takimin si favorite, duke u kuotuar mjaft ulët edhe nga kompanitë e basteve, u mund nga Shqipëria me rezultatin 1-3. I pari që shënoi për kuqezinjtë e rinj ishte Kavazaj në minutën e 19. Në minutën e 43 Shkurtaj dyfishon rezultatin dhe vulos pjesën e parë të takimit.

Pjesa e dytë nis me vendasit në kërkim të golit, por janë sërish kuqezinjtë ata që gjejnë rrugën e rrjetës, këtë herë me Shalën në minutën e 57.

Tre gola avantazh u japin mundësi kuqezinjve të administrojnë rezultatin dhe lojën, ndërsa vendasit fitojnë një 11 metërsh në minutat shtesë të takimit. Goditja nga pika e bardhe transformohet në gol nga Gregoritsch, që vlen sa për statistikë.

Pavarësisht kësaj fitoreje, Shqipëria mbyll këto kualifikuese në vendin e fundit të grupit 4, me vetëm 6 pikë. Por ajo që vlen të përmendet është fakti që pikët janë marrë në tre ndeshjet e fundit dhe që të gjitha në transfertë, përkatësisht ndaj Hungarisë dhe Austrisë, ndërsa në takimet e tjera kemi regjistruar plot 6 humbje.

Grupi 4 kryesohet nga Spanja me 18 pikë, ndjekur nga Austria me 12, Hungaria, Bosnja dhe Shqipëria me nga 6 pikë.

Top Channel