OBSH: Konsumi i sheqernave duhet përgjysmuar!

06/03/2014 00:00

Njerëzit këshillohen të përgjysmojnë sasinë e sheqerit në dietat e tyre, sipas udhëzimit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sasia e rekomandueshme e sheqerit të konsumueshëm duhet të qëndrojë nën 10%-shin e kalorisë totale që merret gjatë një dite, teksa objektivi është të zbresë deri në 5%, thotë OBSH.

Kufijtë e sugjeruar aplikohen për të gjitha sheqernat e ushqimeve, ashtu si dhe sheqeri natyral i gjendur te mjalti, shurupet, lëngjet e frutave, si dhe koncentratet e frutave.

Aktivistët britanikë thonë se është një “tragjedi”, që OBSH-së i janë dashur rreth 10 vjet për të menduar ndryshimin e këshillave të saj. Rekomandimi, që sheqernat duhen konsumuar jo më shumë se 10% e kalorive ditore të një njeriu, është miratuar në vitin 2002.

Por sa është kjo sasi e rekomandueshme? Bëhet fjalë për rreth 50 gramë në ditë për një të rritur të peshës mesatare, bën të ditur OBSH.

Gjithsesi, disa ekspertë thonë se edhe 10%-shi i tanishëm është tepër i lartë, për shkak të rritjes së niveleve të obezitetit në botë.

Duke shpallur draftin e ri të masave, OBSH njoftoi përmes një deklarate: “Rekomandimi aktual i OBSH, që prej 2002-shit, është që sheqernat duhen të përbëjnë më pak se 10% të energjisë totale të marrë gjatë ditës. Drafti i ri i udhëzimeve propozon gjithashtu se reduktimi deri në 5% të energjisë totale të marrë në ditë, do të kishte edhe më shumë përfitime”.

Doktor Francesco Branca, drejtor i ushqimit në OBSH, tha në konferencën për shtyp se objektivi i 10% ishte një “rekomandim i fortë”, ndërkohë që objektivi i 5% ishte “kushtëzues”, bazuar mbi provat aktuale. “Duhet të synojmë ta ulim atë deri në 5%, nëse mundemi”, shtoi ai.

Plani do të nisë të konsultohen në publik tashmë, teksa miratimi i rekomandimeve pritet të bëhet këtë verë. Shëndeti Publik në Angli bëri të ditur se komiteti këshillues shkencor mbi ushqimin i tyre po rishikon provat mbi sheqerin në dietat britanike.

Drejtoresha e Ushqimit dhe Dietave, Alison Tedstone, tha: “Sondazhet tona tregojnë se popullsia britanike duhet ta reduktojë marrjen e sheqerit, teksa mesatarja aktuale për të rriturit është 11,6%, ndërsa për fëmijët është 15,2%, shumë më lart se rekomandimi aktual i Britanisë, prej 10%”.

Top Channel