Më shumë se 1 në 5 llogari bankare në Malin e Zi rezulton e bllokuar. Të dhënat, që lidhen me fundin e dhjetorit 2013, vijnë nga një komunikatë e publikuar nga Banka Qendrore e Podgoricës.

Plot 13 mijë nga 55 mijë llogari bankare, ose 23.5 për qind, rezultojnë të bllokuara, me një rritje prej 1.7 për qind krahasuar me muajin e nëntorit.

Borxhi total në bazë të të cilit llogaritë janë bllokuar llogaritet në 437 milionë euro, 2.6 për qind më shumë krahasuar me muajin e mëparshëm.

“Përqendrimi i borxhit më 31 dhjetor ishte relativisht i lartë sepse dhjetë debitorët më të mëdhenj ishin përgjegjës për 21.6 për qind të borxhit total, për shkak të të cilit llogaritë ishin bllokuar”, thuhet në komunikatë, ku citohet raporti i guvernatorit të bankës.

Sipas njoftimit, 50 debitorët më të mëdhenj, që përbëjnë 0.39 për qind të totalit të debitorëve të regjistruar, kanë marrë pjesë në shumën totale të borxhit me 45.5 për qind.

Në komunikatë publikohen edhe të dhënat në lidhje me defiçitin e buxhetit të shtetit, 128.3 milionë euro në vitin 2013, ose 3.9 për qind e vlerës së GDP-së në Malin e Zi.

Të dhënat që lidhen me periudhën janar-shtator 2013 tregojnë se defiçiti është 29 për qind më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012, kur arrinte në 231,7 milionë euro.

Nga raporti i bankës bie në sy edhe një rënie e investimeve të huaja, me rreth 30 për qind krahasuar me vitin 2012, si dhe rritja me 10 për qind e papunësisë në dhjetor 2013 krahasuar me dhjetor 2012.

Top Channel