“Barraco Barner, presidenti i Britanisë së Madhe”

07/03/2014 00:00

“Nëse Barraco Barner është presidenti ynë, atëherë pse ai po ngatërrohet me Rusinë? E frikshme”.

Naiviteti i një 20-vjeçareje britanike ka shkaktuar një zhurmë të madhe jo vetëm në rrjetet sociale, nga ku nisi, por edhe në mediat e tjera, televizive dhe të shkruara.

20-vjeçarja Gemma Worrall, punonjëse në një sallon bukurie në Blackpool në Britaninë e Madhe ‘e shqetësuar për krizën në Ukrainë’ vendosi të shprehë mendimin në profilin e saj në rrjetin social Twitter.

Por përpjekja e bukuroshes për t’u përfshirë në politikë u shndërrua në një burim të qeshurash, sarkazme dhe talljeje, jo vetëm nga ndjekësit e saj, por nga mbarë Anglia.

20-vjeçarja u përpoq të minimizonte pasojat duke e fshirë statusin e shkruajtur, por ishte tepër vonë, gafa e saj naive ‘kishte marrë dhenë’.

Menjëherë në rrjetin social Twitter shpërtheu hashtagu #BarracoBarner, ndërsa dikush me më shumë nge, nuk ishte mjaftuar me kaq, por kishte hapur edhe një profil : @Barraco Barner dhe Michelleo Barner (Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Britanisë).

Deshi s’deshi, 20-vjeçarja u shndërrua në personin e ditës dhe u ftua në studiot televizive. Në njërën prej tyre modestisht pranoi: “E kuptoj, nuk jam mirë me politikën kështu që tani e tutje do të bëj mirë ta qep”.

 

Top Channel