Serbia ka siguruar nga Emiratet e Bashkuara Arabe një maksi-hua prej 1 miliard dollarësh, me kushte të favorshme, si dhe një kredi prej 100 milionë dollarësh të destinuar për agrikulturën.

Marrëveshja u firmos një ditë më parë në Abu Dabi nga ministri serb i Financave, Lazar Krstiç dhe nga shefi i sekretariatit të Financave të Emirateve, Hamad al Hur.

Huaja prej 1 miliardë dollarësh, që shkon në favor të Serbisë, është e vlefshme për 10 vjet me një normë interesi prej 2 për qind, që është mirëpritur nga Beogradi zyrtar.

“Në tërë historinë e saj, Serbia nuk ka marrë kurrë më parë një hua me kushte kaq të favorshme. Asnjë nga miqtë tanë në botë nuk na ka ofruar më parë diçka të tillë”, deklaroi numri dy i qeverisë, Aleksandar Vuçiç.

Si ministri Krstiç, ashtu edhe homologu nga Abu Dabi nënvizuan domethënien e marrëveshjes për forcimin e bashkëpunimit mes Serbisë dhe Emirateve, në kuadër të perspektivës së investimeve të reja arabe në Serbi dhe për zhvillimin e raporteve ekonomike e tregtare.

Aktualisht, “Etihad”, kompania ajrore e Emirateve, zotëron 49 për qind të “Air Serbia”, kompania e re që lindi tetorin e kaluar dhe zëvendësoi linjën e vjetër “Jat Airways”.

Gjithashtu, në ditët e fundit mes dy palëve u arrit një marrëveshje për projektin arab “Beogradi mbi Ujë”, që parashikon ndërtimin në kryeqytetin serb të një qendre të madhe tregtare, bashkë me një kullë të lartë disa qindra metra.

Top Channel