Zhduket avioni me 239 pasagjerë

08/03/2014 00:00

Një avion pasagjerësh me 239 veta në bord, i nisur nga Kuala Lumpur drejt Pekinit, ka humbur dhe me shumë mundësi mund të ketë mbetur pa karburant, bëri të ditur kompania ajrore “Malaysia Airlines”, ditën e shtunë.

“Për momentin nuk kemi asnjë ide se ku mund të gjendet avioni”, tha zv/presidenti i Kontrollit të Operacioneve të “Malaysia Airlines”, Fuad Sharuji, për CNN.

Qendra e Kontrollit të Trafikut Ajror në Subang humbi kontaktet me fluturimin MH370 rreth orës 02:40 (14:40 të së premtes), tha Sharuji. “Jemi munduar të kontaktojmë me ekuipazhin në mënyra të ndryshme”, tha ai.

“Boeing 777-200” u nis nga aeroporti ndërkombëtar i Kuala Lumpur, më 00:41, dhe pritej të ulej në Pekin më 06:30, pas një udhëtimi prej 2300 miljes (3700 km). Në të gjendeshin 227 pasagjerë, 2 prej të cilëve fëmijë, dhe 12 anëtarë ekuipazhi, bëri të ditur kompania.

Në momentin e zhdukjes, avioni kishte karburant edhe për rreth 7 orë e gjysmë udhëtim, tha Sharuji.

“Malaysia Airlines është duke punuar me autoritetet, të cilët kanë aktivizuar ekipin e tyre të kërkim-shpëtimit për të lokalizuar avionin”, thuhej në deklaratë. Përpjekjet për të kontaktuar me avionin kanë qenë të pafrutshme deri më tani.

“Ndiejmë një keqardhje të thellë, që kemi humbur të gjitha kontaktet me avionin”, tha shefi ekzekutiv Ahmad Juahari Yahya, në një deklaratë. Kompania njoftoi se përfaqësuesit e saj kanë nisur kontaktet me të afërmit e njerëzve në bord.

“Fokusi i kompanisë është bashkëpunimi me punonjësit e emergjencës dhe autoritetet për të mobilizuar mbështetjen maksimale të tyre”, thuhej në deklaratë. “Jemi duke monitoruar raportimet e fluturimit MH370, mendimet tona janë me këdo që ishte në bord”.

“Nuk duket si diçka pozitive”, tha kapiteni pensionist i “American Airlines”, Jim Tilmon, për CNN. Ai theksoi se rrugëtimi i avionit ishte kryesisht mbi tokë, gjë që nënkupton se ka pasur shumë antena, radarë dhe radio për të kontaktuar avionin.

Ai tha se aeroplani ishte i sofistikuar, thuajse si çdo aeroplan tjetër tregtar, si dhe me një rekord të shkëlqyer të sigurisë.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Kinë, Xinhua, raportoi se autoritetet kineze të aviacionit kanë konfirmuar se 160 kinezë ishin në bordin e avionit, që ka humbur nga radarët në hapësirën ajrore të kontrolluar nga Vietnami.

Ambasada kineze në Malajzi ka ngritur një ekip emergjence të kryesuar nga ambasadori kinez, për t’u përballur me incidentin, bëri të ditur Xinhua.

Top Channel