Forcat e Armatosura të Kosovës nuk mund ta rrezikojnë Serbinë dhe nuk paraqesin një moment të ri sigurie.

Pas njoftimeve nga Kosova për mundësinë e formimit të ushtrisë, Serbia reagoi ashpër, duke kërkuar që Këshilli i Sigurimit në Kombet e Bashkuara të flasë për këtë temë.

Pasuan disa njoftime nga qeveria dhe zyrtarët serbë thanë se ajo nuk duhet të shkelë në veri. Ekspertët thonë se ushtria nuk rrezikon askënd, nëse nuk përdoret si mjet. Aleksandar Radic, analist politiko-ushtarak, thotë se për Serbinë reagimet janë para zgjedhjeve.

“Serbia do të reagojë ashpër, por aq sa për t’i treguar opinionit se institucionet qëndrojnë prapa mbrojtjes së interesave të saj në Kosovë. Formimi i ushtrisë ka qenë i pritur dhe nuk paraqet asnjë moment të ri për sigurinë”, tha Aleksandar Radic.

Radic thotë se, në momentin kur Kosovën e kanë njohur shumë shtete, nuk ka anjë rrezik, ndonëse për serbët është me rëndësi të mos duket si shkelje e kompromiseve politike.

“Është me rëndësi për Serbinë, që këto forca të mos paraqiten në veri. Kjo do ta shkelte në mënyrë simbolike qëndrimin e Beogradit për mosnjohjen e Kosovës. Por, besoj se mes Kosovës, NATO-s dhe Serbisë do të gjendet një zgjidhje, që të mos tregohet forca e ushtrisë në vendet ku jetojnë serbët”, shtoi Aleksandar Radic.

Mediat serbe kanë shkruar për forcat e Kosovës, duke thënë se është shkelje ndërkombëtare.

Top Channel