Drejtësia greke ka zbuluar emrin e personit, që shfaqet si protagonist kryesor në përgjimet telefonike të pothuajse gjysmës së kabinetit qeveritar të ish-kryeministrit Kostas Karamanlis, në vitin 2005.

Bëhet fjalë për një nëpunës të Ambasadës amerikane, fotografitë dhe videot e veprimtarisë së të cilit disponohen tashmë nga organet greke të drejtësisë.

Në javën që vjen, personit në fjalë do t’i çohet kërkesa gjyqësore, me anë të së cilës do t’i bëhet e ditur akuza për spiunazh dhe shkelje të të drejtave të privatësisë, si dhe thirrja për t’u paraqitur në hetuesi.

Sipas gazetës greke “To Vima”, të së dielës, nëpunësi amerikan i quajtur Ëilliam është 65 vjeç, ka dalë në pension dhe jeton në SHBA, pikërisht afër NSA-së, Agjencisë Kombëtare të Sigurimit amerikan.

Nga fotografitë dhe videot e kamerave të sigurisë shfaqet gjithë veprimtaria e tij, si blerja në një dyqan në Pire e 14 telefonave celularë-përgjues, të cilët me anë të një programi regjistronin bisedat e rreth 100 telefonave, kur ata bënin thirrje apo pranonin thirrje.

Blerja është kryer me identitet të rremë, ndërsa janë regjistruar dhe vajtje-ardhjet në SHBA, në periudhën e përgjimeve në vitin 2005.

Drejtësia greke do të thërrasë së shpejti për deponim edhe dëshmitarë të tjerë në këtë skandal të përgjimeve të mbi 100 celularëve të kompanisë “Vodafone”, gjysma e të cilëve u përkisnin ministrave të qeverisë dhe tre prej tyre vetë kryeministrit të atëhershëm, Kostas Karamanlis.

Fakti se tarraca e Ambasadës amerikane në Athinë ka qenë qendër përgjimi u bë i ditur edhe nga shtypi gjerman, disa muaj më parë, kur doli në dritë skandali i përgjimeve në Europë nga ish-agjenti Edward Snowden dhe, midis të tjerash, i monitorimit të vetë telefonit celular të Kancelares Merkel.

Megjithëse skandalet e përgjimeve telefonike në Greqi kanë shkaktuar reagime të mëdha në opinionin publik dhe mediat e vendit, nuk ka asnjë reagim qeveritar për to.

Edhe dy vjet më parë, u zbulua se Shërbimi Kombëtar i Informacionit dhe Policia kishin nën përgjim, me urdhër zyrtar, telefonat e më shumë se 50,000 qytetarëve grekë, por çështja u mbyll me disa deklarata të shkurtra, që nënkuptonin se procedurat kishin të bënin me sigurinë kombëtare.

Top Channel