Shtimi i sulmeve ndaj minoriteteve ka rritur alarmin te vëzhguesit në Bullgari, të bindur se dhuna gjenerohet prej nacionalizmit e se ky agresion i ka rrënjët te mënyra se si vendi e sheh historinë e tij.

Të lirosh dikë, që përballet me akuzën e vrasjes, mund të shkaktojë protesta në gjithë botën. Por, kësaj here, në Sofje është një tjetër histori, thotë “Deutsche Welle”, e cila citon lirimin e një personi, javën që shkoi, të akuzuar për vrasje e që shihet edhe si simbol i lëvizjes së dhunshme raciste, të pandëshkuar prej kohësh tashmë.

Një vit më parë, Petko Elenkov, punonjës sigurie, qëlloi dhe vrau një adoleshent rom, i cili kaloi gardhin e një magazine në kryeqytetin bullgar, për të vjedhur metal për skrap.

50-vjeçari këmbëngul se nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe, prej një viti tashmë, procesi gjyqësor i tij nuk ka nisur ende. Elenkov u lirua me një garanci prej 2500 eurosh, çka nxiti protestat e komunitetit rom dhe thirrjet e tij për drejtësi.

Sipas ekspertëve, nacionalizmi në Bullgari po njeh rritje dhe niveli i ri i dhunës në vend është pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimeve specifike, prej kohësh jashtë çdo kontrolli.

Në rastin e Elenkovit, deri edhe mediat shkruanin: “mirë t’i bëhet, romët morën atë që meritonin”, thotë “Deutsche Welle”, duke cituar drejtuesen e një OJQ-je me seli në Sofje.

Sipas statistikave zyrtare, numri i romëve në Bullgari është 400 mijë dhe ata përbëjnë grupin etnik më të sulmuar, megjithatë nuk janë të vetmit. Në shënjestrën e nacionalistëve vendas po përfundojnë gjithmonë e më shumë edhe muslimanët, hebrejtë, komuniteti gay, si dhe refugjatët e huaj.

Vetëm këtë dimër, shtypi raportoi dhjetra sulme mbi refugjatët afrikanë apo aziatikë, ndërsa muajin e kaluar, një bandë nacionaliste sulmoi me gurë një xhami, në qytetin jugor të Plovdivit.

Top Channel