Tre vendet e Ballkanit të përshkuara nga lumi Danub, Bullgaria, Rumania dhe Serbia kanë vendosur të forcojnë bashkëpunimin mes tyre.

Në qytetin bullgar Ruse, u zhvillua fundjavën e kaluar një takim trepalësh mes kryeministrave respektivë, atij bullgar Plamen Oresharski, rumunit Victor Ponta dhe atij serb Ivica Daçiç.

Në takim janë diskutuar çështje me interes të përbashkët dhe në plan të parë ka qenë mbështetja ndaj Serbisë për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Oresharski dhe Ponta ritheksuan gatishmërinë e plotë të vendeve të tyre, të anëtarësuara në 2007, për të asistuar Beogradin me eksperiencën e tyre “si pozitive edhe negative” në plotësimin e kritereve.

“Është në interesin tonë të përbashkët që të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor të bëhen anëtare të BE-së, edhe për të përdorur instrumentet e KE-së për të thelluar bashkëpunimin në rajon”, deklaroi Oresharski.

Tre kryeministrat nënvizuan gjithashtu nevojën për nisjen e projekteve të përbashkëta, me qëllim nxitjen e investimeve në zonat ndërkufitare të tre vendeve, për të luftuar problemet kryesore si papunësia dhe varfëria.

Top Channel