A mund të shmangim fatin e dinosaurve?

11/03/2014 00:00

66 milion vite më parë, një asteroid me diametër prej 10 kilometrash goditi tokën dhe shfarosi dinosaurët. A është njeriu i sotëm i zgjuar mjaftueshëm për të shmangur një fat të tillë?

NASA po punon për këtë. Që prej 16 vjetësh, agjencia amerikane e hapësirës është investuar në vëzhgimin dhe identifikimin e asteroidëve me diametër mbi 1 kilometër që vërtiten rreth planetit tonë dhe pretendon se ka identifikuar dhe përcaktuar në mënyrë të saktë të 98 përqind të tyre.

Asteroidë të përmasave të tilla nëse bien në Tokë mund të shkaktojnë katastrofa të paimagjinueshme, që rrezikojnë ekzistencën tonë. Por të rrezikshëm janë edhe asteroidët deri në 30 metër diametër, të cilët nëse bien në momentin e gabuar dhe vendin e gabuar mund të shfarosin një qytet prej miliona banorësh.

Një i tillë është regjistruar në vitin 1908, një tjetër në 1947 dhe i fundit, ku ishim dëshmitarë të gjithë, ai i Rusisë, vitin e kaluar që fatmirësisht nuk la viktima pas, por shkaktoi një dëm me vlerë prej 40 milion dollarësh.

Pikërisht asteroidë të tillë synon të vendosë nën mbikqyrje agjencia amerikane e hapësirës nëpërmjet nismës më të fundit të saj, ku kërkon nga gjithë amatorët vëzhgues të hapësirës që të monitorojnë asteroidet, t’i përshkruajnë saktë dhe të dhënat t’i dërgojnë në adresën e NASA-s.

NASA ka nisur punën për grumbullimin e të dhënave, një projekt i pagëzuar me emrin “Gjuetia e Asteroidëve” (Asteroid Data Hunter) dhe aktualisht ka mbi 50 amatorë në mbarë botën që paguhen periodikisht për punën e tyre.

Në një konferencë shkencore, Jason Kessel dhe Jenn Gustetic nga NASA sqaruan synimet e projektit.

“Ky projekt mund të jetë një lajm i mirë për të gjithë ne, por sic dihet, njerëzit nuk janë krijesa e parë që ka dominuar Tokën. Dinosaurët dominuan këtë planet për një kohë shumë më të gjatë nga sa kemi bërë ne, një fraksion kohe, për të qenë të saktë”, thotë Gustetic.

Ajo tha se formula dominuese e dinosaurve, “rritu në përmasa të stërmëdha dhe vriti e ushqehu me speciet e tjera, rezultoi e gabuar dhe i bëri ata vulnerabël në ditën e keqe, 66 milion vite më parë, kur asteroidi, që mendohet se ka rënë diku në Gjirin e Meksikës, shkaktoi shfarosjen në masë të tyre dhe specieve të tjera të planetit”.

Shfarosje në masë, sqaron Gustetic, kemi atëherë kur mbi 75 përqind e specieve të planetit zhduket në një hark kohor prej ‘vetëm’ 2 milion vitesh. Sipas saj historia dominuese e njerëzimit në këtë planet nuk është aq sa ajo e dinosaurve.

“E gjithë historia e nejrëzimit në këtë planet është vetëm 8 sekondat e fundit të kalendarit kozmik, dhe në fakt ne kemi të dhëna, apo dimë mjaftueshëm vetëm për sekondën e fundit. Jemi këtu për një fraksion kohe, sa hap e mbyll sytë me kohëmatësin e kalendarit kozmik”, deklaroi shkencëtarja e NASA-s.

A jemi mjaftueshëm të zgjuar për të shmangur fatin e dinosaurve? “Ne jemi bashkëpunues, ndërtues dhe shpikës. Kemi vënë teknologjinë në funksion të dobisë tonë dhe ç’është më e rëndësishmja, jemi të vetëdijshëm për vendin tonë në Univers, dhe ky është avantazhi ynë”, shpjegon Gustetic.

Top Channel