Burrnesha shqiptare në sytë e fotografit spanjoll

12/03/2014 00:00

Në pamje të parë duket si një burrë i vjetër, por në të vërtetë fotot tregojnë një femër që jeton si mashkull në veri të Shqipërisë. Fotot janë realizuar nga fotografi spanjoll Luis Dafos, i cili ka marrë shkas nga historia e burrneshave për një reportazh të veçantë.

Të quajtura ndryshe edhe si “Virgjëreshat e betuara”, burrneshat presin flokët shkurt, vishen me rroba meshkujsh dhe marrin përsipër përgjegjësitë e burrit. Ndryshe nga femrat e tjera, burrneshat lejohet të pinë cigare, alkool, të mbajnë armë dhe të krijojnë lidhje shoqërore me burrat e tjerë.

Spanjolli Luis Dafos shkruan: “Në një familje ku nuk kanë mbetur më meshkuj, një nga femrat nis të sillet si mashkull për t’u bërë kreu i ri i familjes dhe për t’i dalë zot familjarëve.”

Fotografi ka biseduar me 92-vjeçaren Qamile Stema, e cila ka jetuar si burrneshë që në moshën 20-vjeçare. Ajo ka treguar se kjo ishte e vetmja mënyrë për të trashëguar tokën e familjes së saj dhe për të mbrojtur 9 motrat më të vogla pas vdekjes së babait. Qamilja është burrnesha e fundit në fshatin Baraganesh.

“Mendoj se gjithmonë kam qenë edhe grua, edhe burrë”, thotë Qamilja.

 

FOTO GALERI
1/2

Top Channel