Duke transformuar thënien e famshme nga vepra e Shekspirit, përfaqësues të Sindikatave të Mësuesve, të lidhur me zinxhirë në barrierat metalike të policisë para Parlamentit grek, mbajnë në duar një pankartë në të cilën shkruajnë: “Rroftë Cezari Samaras. Profesorët që janë gati të vdesin e përshëndesin”.

Bashkë me ta, me kova në duar, nënpunës të dikasterëve që hedhin parrulla kundër qeverisë, të administratës lokale, të spitaleve dhe gjykatave, i janë bashkuar paraditen e së mërkurës protestës së Konfederatës së Nënpunësve të Sektorit Shtëtror, ADEDY, në grevën 24-orëshe që ajo ka shpallur.

“Jetojmë në varfëri, gjendja nuk mund të vazhdojë më kështu. Ata na kanë shkatërruar financiarisht dhe psikologjikisht. Ajo që ne duam është që trojka të largohet dhe të na lërë të qetë”, ka thënë për agjencinë “Reuters”, Babis Sgourdas, roje shkolle i pushuar nga puna.

Sindikalistët kanë protestuar për pushimet nga puna dhe kërkesat e ekspertëve të kreditorëve të huaj përsa i përket reformave të reja në marrëdhëniet e punësimit, si dhe reduktimit akoma më të madh të pagave.

Gjithashtu, ata protestojnë ndaj përfaqësuesve të KE, BQE dhe FMN-së, të cilët kërkojnë promovimin e një legjislacioni që krijon pengesa të pakapërcyeshme per shpalljen e grevave nga sindikatat.

“Edhe një herë jemi këtu, siç kemi bërë në tetë muajt e fundit që kur kolegët tanë, rojet e shkollave dhe nënpunësit e sektorit publik ndodhen në skemën e lëvizshmërisë dhe duhet të pushohen nga puna në 22 mars. Ne nuk i pranojmë këto pushime nga puna dhe do të luftojmë deri në fund”, deklaroi Stamatis Nikolaou, sekretar i Unionit të Mësuesve.

Greva zhvillohet në një moment delikat për qeverinë Samaras, që nuk ka marrë mbështetjen e duhur në samitin e Eurogroupit të hënën e kaluar nga përfaqësuesit e kreditorëve, të cilet pritet të mbërrijnë në Athinë në ditët e ardhshme për të rifilluar negociatat me qeverinë dhe për t’i dhënë fund mospajtimeve për masa të tjera të dhimbshme që do t’u hapin rrugë kredive të reja të shpëtimit për Greqinë.

Paketa e masave të imponuara që kërkon të zbatojë Ministria e Reformave Administrative parashikon 11.400 pushime nga puna në sektorin publik brenda këtij viti, ndërkohë që papunësia mbetet në shifrat rekord prej 27.5% dhe tkurrja e ekonomisë ka shkuar në 24% në gjashtë vitet e fundit, sipas statistikave të reja.

Megjithëse pjesëmarrja në protestat e muajve të fundit nuk është ajo që pritet krahasuar me gjendjen e vështirë ekonomike të vendit, Konfederata e Nënpunësve të Sektorit Shtetëror ka shpallur përsëri një grevë të re 48-orëshe në 19 dhe 20 mars.

Top Channel