
Kuvendi i Kosovës ka trajtuar në seancën e së enjtes vendimin e qeverisë së vendit për rritjen e pagave për punonjësit e sektorit publik.
Ka qenë opozita ajo që ka kundërshtuar vendimin në fjalë, që parashikon rritje edhe për zyrtarët e lartë duke filluar nga Presidenca, Kuvendi dhe qeveria. Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi e cilësoi vendimin e qeverisë si joligjor dhe tha se fjalën e fundit për të duhet ta thotë Kuvendi.
“Pagat janë rritur në mënyrë krejt të paarsyeshme. Pse? Është thelluar diferencimi mes atyre që kanë kushte tepër të vështira dhe atyre që kanë rroga të majme. Kjo rritje është dashur të bëhet në mënyrë lineare. Për të gjitha kategoritë, një shumë”, tha Krasniqi.
Këto komente Krasniqi i bëri pas kërkesës që kryeministri Thaçi u bëri deputetëve që të deklarohen nëse duan të tërhiqen nga kjo rritje.
“Nëse ka vullnet nga Parlamenti që ta refuzojë këtë rritje, atëherë unë ftoj i pari të gjithë anëtarët e qeverisë që të tërhiqen dhe t’ia lënë fjalën Kuvendit”, tha Thaçi.
I menjëhershëm ishte reagimi i shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili e cilësoi apelin e kryeministrit si një taktikë marketingu.
“Mos bëni marketing me tërheqjen e rritjes së rrogës për qeveritarët. Edhe ne deputetëve mos na e rrisni, thjesht tërhiqeni vendimin për rritjen e pagave”, tha Beqiri.
Edhe Ardian Gjini nga AAK kritikoi vendimin për rritjen e pagave në prag të zgjedhjeve. “A nuk është fyerje t’iu rriten punonjësve pagat gjithmonë pak para zgjedhjeve dhe më pas t’iu nxihet jeta për katër vjet”, u shpreh Gjini.
Top Channel