Kur hobet e grave sfidojnë burrat

13/03/2014 00:00

Ndonjëherë duket sikur të guxosh të aventurosh është çështje të rinjsh. Suzana dhe Blerina tregojnë të kundërtën. Dy mikesha, të dyja tejet të apasionuara pas motorrave, edhe pse janë gra të impenjuara dhe nëna të shumë fëmijëve, na dëshmojnë se për pasione të forta në jetë nuk ka moshë.

Suzana thotë: “Kam 7 vjet që kam motorr, që vajzë e kam pasur qejf. Në fillim biçikletë e pastaj motor.”

Edhe për Blerinën, motorri është një dëshirë e hershme e mbijetuar prej fëmijërisë: “Që fëmijë e kam pasur qejf dhe sa u bëra në një moshë që mund ta kisha, e bleva.”

Suzana është 38 vjeç. Nënë e katër fëmijëve. Një djali 18 vjeç, një vajze 14 dhe dy vogëlushëve 3 dhe 1 vjeç e gjysmë. Grua me shumë kurajo dhe që jetën guxon ta marrë si një sfidë: “Përballem me çdo gjë, dua të sfidoj frikën në çdo drejtim. Jam shumë e apasionuar pas mjeteve.”

Blerina ka dy djem, por detyrimet familjare dhe përkushtimi si nënë nuk e pengojnë të aventurojë. Motorri është një prej pasioneve të saja: “Kam edhe makinë, por më pëlqen shumë t’i hipi motorrit. Më jep adrenalinë dhe është më i mirë për trafikun.”

Të guximshme sa duhet për të kënaqur veten, por edhe të kujdesshme, këto dy zonja shpeshhere gjejnë kohën për të bërë ndonjë garë të vogël mes tyre.

Dhe në këtë pasion, ku rruga rezervon shumë të papritura me kaosin dhe ngarkesën e madhe lëvizëse, ka edhe episode të pakëndshme. Blerina tregon: “Zana sapo e pati një incident, ndërsa unë vetëm një herë jam rrëzuar.”

Vetë Suzana thotë: “Edhe pse mund të jem rrëzuar ndonjëherë, unë përsëri kam shumë guxim.”

Amantia Simixhiu, ekonomistja e maleve

Mali është pasioni i saj më i madh. Ngjitja, kacavirrja, të gjitha në simbiozë me natyrën, kanë për Amantia Simixhiun kuptimin e argëtimit të vërtetë edhe pse për një vajzë të moshës së saj ky lloj aktiviteti mund të duket i guximshëm dhe aspak një dëfrim.

Amantias i pëlqejnë sfidat dhe mbi të gjitha natyra. Ka rreth 3 vite që ka zbuluar pasionin për malin dhe në morinë e ngjitjeve të saj numërohen rreth 80 aktivitete. Aleksandër Bojaxhiu, ish-alpinist, duke e njohur Amantian gjatë ngjitjeve në mal, vlerëson pasionin e të resë: “Ajo që mua më bën përshtypje është se ajo i kënaqet asaj që bën, gjen veten në këtë veprimtari dhe ajo nuk e bën për t’u dukur këtë.”

Dhe përpos pasionit për këtë sport, çfarë bën përshtypje është forca dhe rezistenca që 25-vjeçarja tregon gjatë aktiviteteve: “Një nga tiparet dalluese është që nëse ndonjë mashkull kërkon t’i japë ndihmë, Amantia e refuzon ndihmën.”

Me dashurinë për malin, Amantia ka krijuar edhe pasonin për të pasur sa më shumë veshje dhe pajisje profesionale për aktivitetet e saj në natyrë. Është ndër të paktat vajza që e bëjnë këtë gjë në Shqipëri. Koleksionimi dhe pasurimi i kësaj baze materiale është kthyer për 25-vjeçaren në një hob më vete.

“Jam shumë e fiksuar sepse mali nuk ngjitet me veshje të jetës së përditshme”, thotë Amantia.

Fustanet dhe veshjet elegante nuk janë më prej 3 vitesh përparësi për Amantian: “Mendoj të blej gjëra që shërbejnë në periudhën afatgjatë. Një fustan blihet dhe vishet një mbrëmje, ndërkohë që këto vishen përdite në aktivitetet që dua.

Të investohesh në një hob nuk mjafton vetëm të vesh shpirtin në të. Përpos kësaj, Amantia ka vendosur edhe financat dhe kursimet e saj: “E marr seriozisht hobin tim dhe dua të jem e pajisur siç duhet.”

Karrem për zbavitje. Pasioni i 52-vjeçares nga Lezha

Për një grua është paksa luks të marrë grepat, kallamat e të dalë për peshkim, thjesht për pasion. E veçanërisht kur ajo është një zonjë shtëpie apo jeton në një qytet të vogël, ku paragjykime janë më të mëdhaja. Por, Rajmonda Kovaçi, 52-vjeçarja nga Lezha i ka vënë nën këmbë të gjitha. Prej 12 vitesh ajo del rregullisht për peshkim rrethinave të qytetit të saj dhe ata që e njohin thonë që është një peshkatare shumë e zonja.

Kurioziteti për të bërë diçka ndryshe e shtyu Rajmondën të provonte peshkimin dhe sot ajo është një pasionante e këtij lloj sporti, prej të cilit mendon të mos heqë dorë: “Kam mësuar fillimisht duke shkuar për qejf, më hyri në gjak e nuk rri dot më pa peshkuar.”

Ermali, një peshkatar i zonës, habitet me vullnetin e 52-vjeçares për të ushtruar pasionin e saj. Madje ajo guxon edhe të konkurrojë burrat në këtë aktivitet: “Do që gjithmonë të jetë e barabartë me ne.”

Grepi i saj nuk del kurrë bosh. Kjo sepse Rajmonda di të llogarisë shumë mirë erën, oraret e përshtatshme për peshkim dhe çdo hile e teknikë tjetër që lipset për këtë gjë. E gjitha kjo në kontekstin e një pasoni: “Më heq mërzinë dhe vetminë. Ma ka shtuar jetën.”

Është shumë këmbëngulëse kur niset për gjuetinë e radhës. Nëse preja është e sigurtë, ajo mund të kalojë gjithë ditën duke peshkuar. 1 orë, dy apo gjithë ditën. Nuk ka rëndësi. Synimi nuk është gjithmonë të bjerë në gjah sepse atë që Rajmonda merr nga peshkimi, nuk e gjen në asnjë aktivitet tjetër.

“Nuk rri dot pa dalë sepse jam mësuar tashmë, është kthyer në punë për mua.”

Top Channel