Qelizat staminale, pikëpyetje rreth studimit japonez

14/03/2014 00:00

Shkencëtarë dhe biologë japonezë, në ditët e para të këtij viti publikuan raportin e një studimi të tyre për sigurimin e qelizave staminale nëpërmjet hedhjes së qelizave të specializuara në një mjedis acidi.

Pretendimi i shkencëtarëve japonezë zyri shpejt faqet e para të gazetave dhe revistave, jo vetëm shkencore. Gjetja u pa si një hap galopant për uljen e kostos dhe të kohës për prodhimin e qelizave staminale, një proces që me teknologjinë aktuale kërkon muaj të tërë kohë.

Por kur kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga publikimi i këtij raporti, shtohen pikëpyetjet mbi vërtetësinë e teknikës së përdorur nga japonezët. Grupe të tjera shkencëtarës kanë provuar të njëjtën gjë duke vendosur qeliza në acide, por pa mundur që të sigurojnë qeliza staminale.

Një tjetër e metë, sipas kritikave, është edhe raporti përfundimtar i biologëve japonezë, që sipas tyre është me të meta dhe i pasaktë.

Qelizat staminale prej vitesh janë në qendër të shumë studimeve shkencore. Ato njihen për aftësinë e tyre për t’u transformuar në qeliza të specializuar. Në mbarë botën, këto qeliza po testohen në fushën e mjekësisë si në rikthimin e shikimit, rigjenerimin e zemrës apo të trurit.

Edhe cmimi Nobel për Mjekësinë në vitin 2012 shkoi për John B. Gurdon dhe Shinya Yamanaka, dy studiuesit që treguan se si qelizat e lëkurës mund të riprogramoheshin dhe të shndërroheshin në qeliza staminale.

Top Channel