Nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni, Subhi Jakupi ka kontestuar emrat e kandidatëve për president, pasi në formularët e dorëzuar në KSHZ ditë më parë ata kanë përdorur simbolet e partive politike prej të cilave janë kandiduar.

Kjo, sipas nënkryetarit të KSHZ-së, është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën e Maqedonisë. Ai ftoi anëtarët e tjerë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që të mos nxitojnë në verifikimin e kandidaturave, por fillimisht të kërkojnë që nga formularët të tërhiqen simbolet partiake, që në ditën e zgjedhjeve do të dalin edhe në fletën e votimit.

“I kontesoj të gjitha listat dhe në bazë të Kodit Zgjedhor kërkoj që t’i jepet afat prej 48 orësh propozuesve të listave që t’i largojnë këto simbole, pasi janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe nenin 59 të Kodin Zgjedhor. Mendoj se vetëm pasi të kryhen këto ndryshime ne mund t’i verifikojmë kandidaturat”, deklaroi Jakupi.

Por, propozimi i nënkryetarit Jakupi u hodh poshtë nga anëtarët e tjerë të KSHZ-së, të cilët me shumicë votash verifikuan kandidaturat e katër kandidatëve presidencialë. Shumica e anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve vlerësojnë se Kodi zgjedhor nuk ndalon përdorimin e simboleve partiake në zgjedhjet presidenciale.

“Propozimi im është t’i verifikojmë kandidaturat ashtu siç janë dorëzuar, me simbole, sepse kandidatët i përdorin logon me leje nga partia. Gjithashtu, dua të theksoj se kandidati i PDSH-së Ilajz Halimi nuk e ka logon e partisë në formular, por ka një simbol tjetër që dallohet emblema partiake”, tha anëtari Bedredin Ibrahimi.

Në zgjedhjet presidenciale të 13 prillit në Maqedoni garojnë katër kandidatë, presidenti aktual Gjorgje Ivanov i kandiduar nga VMRO-DPMNE-ja, Stevo Pendarovski nga LSDM-ja, Iljaz Halimi nga PDSH-ja dhe Zoran Popovski i kandiduar nga partia e vogël, GROM.

Top Channel