SHBA, enti rregullator padit 16 banka

15/03/2014 00:00

Një ent rregullator në Shtetet e Bashkuara ka paditur 16 banka nën dyshimin se kanë manipuluar normën e interesit ndërbankar të Londrës, e njohur ndryshe si Libor.

Norma e Liborit përdoret për të depozituar triliona dollarë në kontrata financiare, përfshirë këtu hipotekat dhe transaksionet në mbarë botën.

Enti rregullator deklaroi se manipulimi i normës u ka shkaktuar humbje 38 bankave amerikane, të cilat mbyllën dyert gjatë dhe pas krizës financiare të vitit 2008.

Mes bankave të paditura rezultojnë edhe ato prestigjoze si Barclays, HSBC, Citigropu dhe Royal Bank of Scotland, raporton BBC në edicionin online.

Edhe Shoqata e Bankave Britanike, BBA, është paditur gjithashtu nga enti amerikan, Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave, FDIC.

“BBA mori pjesë në skemën e dyshuar për të mbrojtur burimin e të ardhurave që vinin nga shitja e liçencave të Liborit dhe për të plotësuar kërkesat e anëtarëve të bordit të saj”, thuhet në akuzën e FDIC.

Enti amerikan pretendon se bankat e përmendura në padinë e tij manipuluan normën e interesit nga gushti 2007 deri në gjysmën e vitit 2011.

Banka të tjera të përmendura në padi janë Bank of America, JP Morgan Chase, Deutsche Bank, Lloyds Bank, Credit Suisse, UBS dhe Rabobank.

Top Channel