Policia greke i ka dhënë një tjetër goditje të fortë, brenda 24 orëve, trafikut të narkotikëve nga Shqipëria. Sipas policisë greke, 458 kilogramë kanabis u bllokuan nga anti-droga në vendin e quajtur Eksamilia, në afërsi të Korinthit.

Policia thotë se ka vënë në pranga katër shtetas grekë të moshave nga 34 në 60 vjeç, si dhe një 35-vjeçar shqiptar. Anti-droga e Athinës tha se ngarkesa e narkotikëve kishte mbërritur nga Shqipëria dhe pasi ishte ambalazhuar dhe paketuar ishte fshehur në fundin e një kamioni-frigorifer, i cili mesditën e së djelës do të dërgohej në Holandë.

Trafikantët e kishin mbuluar drogën me piper për të mos u zbuluar nga qentë e anti-drogës në portin e Patras dhe atë të Ankonës në zbritje. Autoritetet greke thonë se kjo organizatë kishte shumë muaj që po trafikonte drogën nga Shqipëria në drejtim të Europës, me stacion të ndërmjetëm Korinthin.

Të ardhurat nga ky trafik llogariten në disa milionë euro. Kjo u mundësonte trafikantëve që të bënin një jetë luksoze, e cila kishte ngritur dhe dyshimet e policisë vendase. Të arrestuarit do të dalin para gjykatës mëngjesin e së hënës.

Më herët gjatë ditës, një ngarkesë prej 524 kilogramësh kanabis sativa u sekuestrua nga anti-droga e Janinës në aksin rrugor Janinë-Kozanë.

Ndërkohë, raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për luftën kundër narkotikëve gjatë vitit të kaluar, e cilëson sërish Shqipërinë vendburimi për marijuanën me destinacion tregjet europiane, por edhe për konsumin e brendshëm.

Top Channel