Prej orës gjashtë të mëngjesit, serbët po i drejtohen kutive të votimit, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po mbahen në vend.

Partia Progresive Serbe, e kryesuar nga Aleksandar Vuçiç pritet të renditet e para sipas sondazheve të opinionit publik, ndihmuar nga fushata e paralajmëruar anti-korrupsion dhe bindjet pro-europiane të kësaj force.

Socialistët, aleatë të PPS-së në këto zgjedhje pritet të përfundojnë të dytët, duke i dhënë jetë një shumice të fortë të koalicionit të përbashkët në parlament.

Partia Demokratike pritet të renditet e treta.

6,7 milionë serbë kanë të drejtë vote, për të përzgjedhur 250 anëtarët e parlamentit të tyre të ri.

“Kemi nevojë për një fitore historike, për të krijuar vende të reja pune, për të zbatuar reformat për të cilat Serbia ka shumë nevojë dhe për të luftuar korrupsionin me të gjithë forcat tona”, deklaroi Vuçiç në mitingun e fundit në Beograd.

Partia Progresive ka në programin e saj edhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Diferenca në favor të PPS në sondazhe është aq e thellë, sa forca e Vuçiç mund të fitojë e vetme shumicën, diçka që nuk ndodh që prej kohës së Miloseviçit.

Koalicioni me socialistët, të dytët në sondazhe bën që përpara këtyre zgjedhjeve, të ketë pak dyshime mbi atë që do të drejtojë Serbinë në të ardhmen.

Votohet edhe në Kosovë

Për zgjedhjet parlamentare në Serbi, të dielën votohet edhe në 10 qendra në Kosovë nga qytetarët serbë me të drejtë vote.

Zëdhënësi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Nikola Gaon, ka thënë për Top Channel se të dielën në ora 07:00 u hapën të gjitha vendvotimet në dhjetë qendra dhe në 15 filiale, pasi materiali për zgjedhjet parlamentare të Serbisë ka arritur me kohë në Kosovë.

Gaon tha se këto qendra grumbullimi do të jenë të hapura deri në orën 20:00.

Në regjistrat votues janë të shënuar 107 958 qytetarë serbë me të drejtë vote në 17 komuna të Kosovës.

Pas orës 20:00, OSBE-ja do të transportojë materialin votues në Vranjë dhe Rashkë të Serbisë, bën të ditur Gaon.

Top Channel