Alleksandar Vuçiç, zëvendëskryeministri i Serbisë dhe kandidati më serioz për kryeministër, është zgjuar që në orët e mëngjesit për të votuar ndër të parët. Pak pas orës 7 voton dhe thotë se Serbia duhet të vazhdojë fuqishëm me reformat.

“Është një ditë e rëndësishme për Serbinë dhe shpresoj që pas zgjedhjeve do të vazhdoj me luftën për vendet e reja të punës, rritjen ekonomike dhe luftën kundër korupsionit dhe se këto do të jenë segmentet kryesore. Natyrisht ne do ta pranojmë çdo rezultat”, tha Vuçiç.

Kutitë e votimit presin të mbushen nga mbi 6 milionë e 700 votues serbë që janë në regjistra për të zgjedhur kuvendin e ri me 250 deputetë. Ndërkaq, në këto zgjedhje votohet edhe në Kosovë dhe në vendet e tjera të rajonit ku jetojnë shtetasit serbë. Janë 19 lista, ndër të cilat edhe një shqiptare, dhe votat e serbëve kanë pasur oferta të ndryshme, ndonëse ato ngjasojnë. Shumica janë pro Evropës dhe fokusi kryesor është ekonomia.

Ivica Daçiç, kryeministër i Serbisë, pas votimit tha se Serbisë i duhet një sistem serioz dhe se këto zgjedhje do ta përcaktojnë punën e nisur: “Shpresoj që Serbia të hyjë në rrjedha normale me institucione të fuqishme dhe stabile, me një sistem demokratik dhe respektim të të drejtave të njeriut. Ku dihet se sa zgjat mandati dhe çfarë duhet bërë për këtë periudhë.”
 
Serbët nuk kanë arritur të kenë qeverisje stabile dhe zgjedhjet ndodhin shpesh. Kësaj radhe duket se ka qenë edhe kërkesë e BE-së që qeveria të formohet për një mandat 4-vjeçar.

Top Channel