Serbët votuan sot për të rinovuar parlamentin e tyre, ndërsa duket se procesi është zhvilluar normalisht në të gjithë vendin.

Deri në orën 10, sipas KQZ, kishin dalë për të votuar jo më shumë se 10%
e zgjedhësve, ndërsa sondazhet e fundit përpara zgjedhjeve tregonin
fituese me 42,5% Partinë progresiste Serbe, SNS, të zv/kryeministrit
Aleksandër Vucic. Më shumë raportoi nga Beogradi, korrespondenti ynë
Idro Seferi.

Kanë përfunduar zgjedhjet dhe si ka qenë pjesëmarrja deri në këto momente?

Kanë ngelur edhe 25 minuta deri në fund të procesit dhe serbët kanë treguar më pak interesim se zgjedhjet e kaluara, kur tensionet ishin më të mëdha teksa bëhej fjalë për dallimin mes Europës dhe Rusisë. Procesi zgjedhor ka qenë normal dhe i qetë dhe rreth 41 përqind e serbëve kanë votuar deri në orët 17:00, 18:00 të pasdites. Kemi disa të dhëna të fundit zyrtare, të orës 18:00, për Luginën e Preshevës, përkatësisht 33% dhe 35% e qytetarëve të qyteteve Preshevë dhe Bujanoc kanë dalë në votime, ndonëse burimet jo zyrtare flasin për rreth 50% të votuesve të kenë dalë në votime, veçanërisht në Preshevë, ku shumica është shqiptare dhe rreth 33 mijë vetë kanë dalë të votojnë, gjë që do të thotë se gjasat janë që shqiptarët të përfaqësohen në Kuvend.

Kur pritet që të jepen rezultatet e para zyrtare?

Menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit do të jepen shifrat e para paraprake, ndërkohë që diku rreth orës 21:00 do të jepen shifrat më të sakta, ose të paktën të dihet se kush është duke udhëhequr nga fletëvotimet e numëruara deri atëherë. Procesi në Serbi është mjaft i thjeshtë, kështu që rreth mesnatës besohet të kemi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe fituesin apo kryeministrin e ri të Serbisë.

Sipas analistëve, a pritet që të fitojë dikush që të formojë i vetëm qeverinë e re, apo do të nevojiten koalicione për këtë gjë?

Aleksandër Vucic, i cili ka qenë zv/kryeministër i Serbisë në mandatin e kaluar pritet të sigurojë afërsisht ose pak më shumë se 40% të votave, megjithatë atij do t’i duhet një partner qeveritar në Serbi, kjo edhe për shkak të së kaluarës së tij si Sekretar i Partisë Radikale serbe. Nga fushata zgjedhore duket se do të jetë liberal-demokrati Jovanovic, ai që do të krijojë edhe një lloj balance me Bashkimin Europian. Megjithatë, ende nuk dihet nëse Ivica Dacic do të dalë fare nga loja, teksa ky i fundit është ende kryeministër në fuqi i Serbisë. Qeveria e re e Serbisë pritet të ketë një udhëheqje më të fortë, pasi deri më tani qeveritë janë krijuar nga 3 ose më shumë parti, por kjo nuk do të thotë se do të mungojë kontrolli i fortë ndaj kësaj qeverie.

Top Channel