Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi kërkon mbështetje në zgjedhjet
presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare, për t’u bërë, siç ka
thënë ai, Kryeministër i shqiptarëve të Maqedonisë.

Në Konventën partiake ku u prezantuan kandidatët e PDSH-së për deputet, Thaçi premtoi se nëse partia e tij bëhet pjesë e Qeverisë së re, për 18 muaj, do të rregullohet statusi juridik i shqiptarëve dhe ata do të jenë të barabartë me maqedonasit.

“Votoni Menduh Thaçin të jetë Kryeministër i shqiptarëve. Ne nuk do të bisedojmë me ta për çështje të vogla proceduriale, por për çështje të mëdha.
1, patjetër Maqedonia ta ndryshojë vendimmarrjen, vendimmarrja duhe të bëhet me Parlament dy dhomash dhe mekanizmi i konsensusit duhet të jetë i plotë.
2, gjuha shqipe me ligj të ri duhet të bëhet zyrtare.
3, përfaqësimi i shqiptarëve duhet të përfundojë brenda 18 muajve.
4, aspekti i buxhetit të shtetit, do të ndërpritet diskriminimi ndaj shqiptarëve”, tha Thaci.

Kreu i PDSH-së, ka akuzuar drejtuesit e BDI-së se gjatë kohës në pushtet janë përfshirë në afera korruptive, në kriminalitet dhe janë vënë në shërbim të politikës antishqiptare të Qeverisë.

“Kush i propozoi zgjedhjet e parakohshme të mbahen në raundin e dytë, ata që duan t’ia mundësojnë censusin Ivanovit dhe VMRO-së. Ky është Ali Ahmeti dhe BDI-ja. Pse në zgjedhjet lokale qoftë LSDM-ja qoftë VMRO-DPMNE-ja votuan për BDI-në? E thashë përpara, në pyetje është vasaliteti”, u shpreh Thaçi.

Thaçi i bëri thirrje shqiptarëve të dalin masivisht në votime për të mbështetur kandidatin e vetëm shqiptarë për president dhe për ta çuar atë për herë të parë në balotazh me njërin nga kandidatët maqedonas. Ai foli edhe për sulmet e fundit ndaj tij, të cilat i ka quajtur të porositura nga Beogradi.

Top Channel