Në zgjedhjet e përgjithshme në Serbi, shqiptarët e Luginës së Preshevës mundën të marrin dy deputetë, edhe pse një pjesë e tyre bojkotuan votimet, pavarësisht thirrjeve të shumta për pjesëmarrje masive nga Shqipëria e Kosova.

Por, si do të jetë raporti i tyre me kryeministrin e ri, Aleksander Vucic? Riza Halimi, njëri nga deputetët e ardhshëm, si dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë bisedoi nëpërmjet telefonit me drejtuesin e Revistës së Mbrëmjes, Pandi Gjatën.

Si i shikoni raportet me qeverinë e ardhshme të Aleksander Vucic, krahasuar me këtë aktualen të Ivica Dacic? Ishte më mirë apo do të jetë më mirë?

“Besoj që raporti me Vucic do të jetë shumë më i mirë, se cfarë kemi pasur me kryeministrin e deritanishëm. Rezultatet i kemi parë, kemi pasur vetëm premtime dhe asgjë të mbajtur nga Dacic. Me rëndësi është që, nga fillimi i këtij viti, Serbia hyn në fazën e fundit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndaj dhe qeveria e Vucic do të jetë e detyruar dhe e interesuar, që cështjet e pakicave t’i zgjidhë në mënyrë më efektive. Në këtë aspekt, ndër problemet kryesore janë zgjidhja e cështjeve jetësore të qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës. Duke ditur pragmatizmin e Vucic, besoj se do të ketë një qasje shumë më serioze, për të zgjidhur problemet e Luginës së Preshevës”, u shpreh deputeti i rikonfirmuar i legjislativit serb.

A mendoni se, nëse do të kishit qenë bashkë do të kishte më shumë se 2 deputetë shqiptarë në Parlamentin e ri të Serbisë?

“Fillimisht duhet theksuar se, po të shikojmë rezultatin, shqiptarët e kanë forcën për 3 deputetë, ndoshta dhe më tepër, po të mos ishin së paku 1/3-ta e shqiptarëve emigrantë në shtetet europiane. Por, në datën e caktuar për zgjedhjet, ata nuk mund të vinin të merrnin pjesë në këto votime. Sigurisht që, në vend të 24 mijë votuesve që i patëm këtë të diel, që votuan për listën e partisë për Veprim Demokratik, nëse do të merrnin pjesë të gjithë në votime, do të arrinim 30 mijë votues, edhe pse do të ishte e diskutueshme nëse këto vota do të prodhonin një mandat të tretë apo jo. E rëndësishme është të theksohet se kësaj here nuk votuan vetëm simpatizantë të partisë për Veprimin Demokratik, dhe kjo për shkak të mesazheve të qarta të ardhura nga Shqipëria, Kosova dhe faktori ndërkombëtar, me një prezencë të madhe në Luginën e Preshevës këto ditë, gjë që bëri që shumica e shqiptarëve të kuptonin se ishte çasti i duhur, që të dilnin për votime për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e ri të Serbisë”, sqaroi Riza Halimi.

***

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë fituar dy deputetë në Kuvendin e
Serbisë dhe përvec kryetarit të Partisë për Veprim Demokratik, Riza
Halimi në kuvendin serb do të ulet edhe ish-kryetari i Komunës së
Bujanocit, Shaip Kamberi.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia për Veprim Demokratik ka fituar në nivel vendi mbi 24 mijë vota ose rreth 0.7 për qind.

Halimi ka thënë për mediat serbe se do të pranonte ftesën që të flasë për mundësinë e përfshirjes në qeverinë e re serbe.

Ndërkaq, është hera e parë pas shumë vitesh që shqiptarët, pavarësisht bojkotit të shumicës së partive, kanë arritur të marrin më shumë se sa ishte pritur.

Shaip Kamberi, ka qenë gazetar dhe aktivist për të drejtat e njeriut dhe njihet si përfaqësues pragmatik i shqiptarëve. KQZ-ja e Serbisë ka numëruar 99 për qind të votave.

Top Channel